Miratohet Raporti Vjetor i BQK-së për vitin 2024: Konfirmohet stabiliteti financiar

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) miratoi Raportin Vjetor për vitin 2024, i cili përmbledh në mënyrë gjithëpërfshirëse angazhimet dhe arritjet institucionale në funksion të garantimit të stabilitetit financiar, ruajtjes së besimit publik, forcimit të integritetit të sistemit financiar dhe sovranitetit monetar, si dhe qëndrueshmërisë së BQK-së si institucion i pavarur kushtetues.

Raporti pasqyron zhvillimet makroekonomike të vendit, duke theksuar një rritje reale ekonomike prej 4.4%, si dhe një ngadalësim të inflacionit në 1.6%, që reflekton përmirësim të kushteve makroekonomike dhe një menaxhim të kujdesshëm fiskal dhe monetar. Ky progres mbështetet edhe nga niveli i ulët i borxhit publik në raport me Bruto Produktin Vendor (16.5%).

Raporti konstaton se sektori financiar ka vazhduar të jetë i qëndrueshëm, brenda parametrave të caktuar të shëndetit financiar, me një performance të mirë, që konfirmojnë stabilitetin financiar dhe zgjerimin e qasjes në financa të sigurta. Kjo konfirmohet përmes masave të ndërmarra nga BQK për kapitalizimin e sektorit bankar dhe fuqizimin e mbikëqyrjes financiare, në funksion të qëllimit të saj parësor – stabilitetit financiar. Me qasje prudente dhe masa proaktive, BQK ka minimizuar rreziqet sistemike dhe ka garantuar një mjedis të qëndrueshëm dhe rezistent ndaj sfidave globale. Ky qëndrim është konfirmuar edhe nga vlerësimet e institucioneve financiare ndërkombëtare, përfshirë vlerësimin e parë sovran kreditor të Kosovës të marrë gjatë vitit 2024.

Raporti po ashtu shpalos aktivitetet e BQK-së për të garantuar integritetin e sistemit financiar, mbrojtjen e euros si mjet i vetëm ligjor pagese, si dhe ligjshmërinë në operimin e institucioneve në Republikën e Kosovës. BQK ka ndërmarrë veprime të vendosura kundër çdo praktike që rrezikon stabilitetin monetar dhe ka rritur përfshirjen financiare në vend, përfshirë zbatimin e rregullores për llogaritë bazike, duke arritur në mbi 390 mijë llogari të tilla dhe zgjerimin e rrjetit të institucioneve financiare në të gjithë vendin.

Në aspektin ligjor dhe rregullator, raporti thekson finalizimin me sukses të një sërë ligjesh dhe rregulloresh të rëndësishme, duke forcuar kornizën institucionale dhe përgatitur Kosovën për integrim të mëtejmë në sistemin financiar evropian. Dorëzimi i para-aplikimit në SEPA përbën një hap të rëndësishëm strategjik drejt këtij qëllimi.

Në aspektin e brendshëm institucional, Raporti thekson avancimet në reformat institucionale, fuqizimit të qeverisjes, auditimit të brendshëm, kontrollit të rrezikut dhe zhvillimit të kapaciteteve të stafit dhe politikave që ruajnë, tërheqin dhe mbështesin kuadrot profesionale.

BQK ka vazhduar të sigurojë qëndrueshmërinë financiare dhe buxhetore të duhur që, përveç tjerash, ia garanton pavarësinë kushtetuese, duke arritur kuotat ligjore të rezervave të kapitalit nga fitimet e qëndrueshme si dhe mbulojë nevojat e saj institucionale. Si rezultat i kësaj, nga fitimet ndashme vjetore prej 30.8 milionë euro, BQK ka ndarë për buxhetin e shtetit shumën prej mbi 15.4 milionë euro, për të dytin vit radhazi (në vitin 2023 ishte 10.37 milionë euro), krahas interesit vjetor të paguar në vlerë prej 9.1 milionë euro për llogaritë dhe depozitat e buxhetit të shtetit.

Në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rajonal, raporti evidenton forcimin e marrëdhënieve me banka qendrore partnere, pjesëmarrjen në forume ndërkombëtare dhe avancimin e kapaciteteve përmes shkëmbimit të përvojave. Organizimi i Konferencës Ndërkombëtare për 25-vjetorin e themelimit të BQK-së shënoi një ndër ngjarjet më madhore të organizuara me profesionalizëm dhe përkushtim, me pjesëmarrje të nivelit më të lartë ndërkombëtare të shënuar ndonjëherë dhe përbën një moment kulmor të promovimit të Bankës Qendrore dhe Republikës së Kosovës.

Gjithashtu Raporti shpalos se BQK ka realizuar me sukses të gjitha detyrat që rrjedhin nga programet me Fondin Monetar Ndërkombëtar, duke forcuar kredibilitetin institucional dhe përkushtimin ndaj objektivave të zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes nga goditjet e jashtme, si dhe duke krijuar hapësirë shtesë financuese në rast të nevojës. Në përmbyllje, BQK shpreh mirënjohjen dhe falënderimin për stafin e saj për përkushtimin profesional, organet drejtuese për mbështetjen dhe vizionin strategjik, institucionet e Republikës së Kosovës, partnerët vendas dhe ndërkombëtarë për bashkëpunimin e frytshëm, si dhe publikun e gjerë për mbështetjen dhe besimin. Raporti i miratuar nga Bordi i BQK-së, përmban edhe pasqyrat financiare të audituara për vitin 2024 së bashku me opinionin e pastër (të pa-modifikuar), dhe do t’i dorëzohet Kuvendit të Republikës së Kosovës brenda afatit ligjor, në përputhje me nenet 28 dhe 59 të Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, dhe është i publikuar në ueb-faqen zyrtare të institucionit.

Shija e redaktorit

Garat e çiklizmit, edhe sot bllokim i përkohshëm i qarkullimit...

Policia e Kosovës ka njoftuar se edhe të shtunën, më 21 qershor 2025, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit për automjetet në...

Vasfije Krasniqi rrëfen historinë e saj në OKB: Drejtësia është...

Vasfije Krasniqi ka ndarë rrëfimin e saj si e mbijetuar e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë, në Kombet e Bashkuara në...

Në ditën e çlirimit të komunës, përurohet memoriali i dëshmorëve...

Në tokën kur dikur u derdh gjak për liri, sot përjetësohen emrat që nuk do të shuhen kurrë. Në ditën e çlirimit të komunës së...

Të fundit nga rubrika