Avokati Lluka Mishetiq që përfaqëson ish-presidentin, Hashim Thaçi, në gjyqin e madh në Hagë, e ka nisur fjalën e tij.
Mishetiq, ka deklaruar se ish-presidenti i Kosovës, Thaçi është i pafajshëm dhe që kjo është pikënisja prej ku duhet të merret vendimi.
“Kur t’i filloni kuvendimet tuaja, ju do të filloni nga qëndrimi se Hashim Thaçi është i pafajshëm dhe më pas ju do të vlerësoni nëse provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ju kanë bindur juve, jashtë dyshimit të arsyeshëm, se Hashim Thaçi është fajtor”, u ka thënë Mishetiq gjyqtarëve.
Mishetiq, mes tjerash, u ka përmendur gjykatësve edhe dëshmitë e ndërkombëtarëve të cilët patën deklaruar se Thaçi nuk dyshohej për krime lufte.
“Ju keni dëgjuar nga dëshmitarët ndërkombëtarë që kanë thënë se Hashim Thaçi nuk dyshohej për krime lufte, ndërkohë që këto ngjarje po ndodhnin dhe po zhvilloheshin. Dëshmitarët ndërkombëtarë ju thanë se për këto ngjarje ishin të informuar përmes burimeve diplomatike, shërbimeve të inteligjencës dhe të tjera, si dhe përmes përvojave të tyre personale, përfshirë përvojat e tyre me Hashim Thaçin”.
Kujtojmë se në mesin e figurave që dëshmuan në mbrojtje të Thaçit janë: ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s, Wesley Clark, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin dhe diplomati i pensionuar amerikan, Christopher Hill.
Kujtojmë se në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, për të tretën ditë radhazi, është duke vijuar procesi me deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Gjatë ditës së sotme pritet që ekipit mbrojtës i Hashim Thaçit t’i jepet fjala për paraqitjen e argumenteve përfundimtare. Të martën u mbyll dita e dytë e deklaratave përmbyllëse, pasi përfaqësuesi i viktimave, Simon Laws, përfundoi paraqitjen e tij para trupit gjykues në rastin ku ish-eprorët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Gjykimi në Hagë, sot fjalët përmbyllëse të mbrojtjes së Hashim Thaçit