Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, çdo humbje të tij e paraqet fitore dhe një ideologji të tillë, ai e krahason me atë të bolshevikëve.
I ftuar në Debat Plus të RTV Dukagjini, Molliqaj e cilësoi Kurtin si “të rrezikshëm”.
“Për nga ideologjia, çdo humbje paraqet fitore. Kështu ka qenë gjithmonë te Bolshevikët”, ka deklaruar ai. “Kurti është i rrezikshëm, është i dëmshëm. Marrëveshja që ka qendër Asociacionin është jonfunksionale, nuk e zgjedh problemin në mes Kosovës dhe Serbisë, prandaj duhet kundërshtuar”.
Molliqaj ka treguar edhe se kur do ta duartrokiste Kurtin gjersa tha se rezultati përfundimtar i veprimeve do të jetë ai që do ta gjykojë.
“Nuk a kam hallin për dëmet e vogla që mund të shkaktojë një qeveri, unë e shikoj rezultatin përfundimtar. Nuk më interesojnë targat, as dokumentet e udhëtimit që i bëri Kurti më herët, në fund rezultat është marrëveshja e Brukselit bazë dhe plani i implementimit në Ohër. Cili do të jetë rezultati i të gjitha veprimeve të akumuluara, pozitive e negative të Qeverisë Kurti, nga ajo marrëveshje deri në themelim të Asociacionit, draftit. Nëse drafti i Asociacionit do të jetë shumë më i mirë sesa ai i 2015-tës, duhet duartrokitur dhe të thuash “Qy ky diça boni”. Nëse e nal krejt Asociacionin, edhe më mirë. Edhe unë ia fal disa gabime…”, ka deklaruar ai.
Tutje, Molliqaj tha se është çështje ditësh nëse jo orësh, që Kurti të pranojë kërkesat e ndërkombëtarve. Ai theksoi se PSD mbetet e shqetësuar me qasjen e Qeverisë në dialogun Kosovë-Serbi.