E premtja e kësaj jave të re është dita kur e gjithë Kosova, sytë i ka nga Gjykata Kushtetuese.
Kjo e fundit pritet që me 8 gusht të marrë një vendim sa i përket, krizës politike mbi tentativat e dështuara për muaj të tërë për formimin e Kuvendit të Kosovës.
Kuvendi nuk arriti të formohet në 54 në përpjekje duke kaluar kështu afatin e vendosur nga Kushtetuesja për tentime të mëtejshme.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte shpallur vendimin e ri të saj i cili ua ndalon deputetëve të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës çdo vendim dhe veprim pas kalimit të afatit 30-ditor të saj që kishte caktuar, respektivisht çdo vendim e veprim pas datës 26 korrik.
Masa hynte në fuqi nga 27 korriku deri më 8 gusht, të premten e kësaj jave.
Kujtojmë që PDK i ishte adresuar Kushtetueses duke kontestuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për antarët e komisionit për votim të fshehtë dhe vet komisionin si praktikë, jashtë rendit të ditës.
Njëzëri ishte edhe LDK-ja e cila tanimë veçse i ka kërkuar Kushtetueses t’i sqarojë normat kushtetuese mbi mbarëvajtjen e seancave që sipas tyre, kanë ndodhur në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.