Melos Kolshi nga IKD ka folur lidhur me gjendjen statike në Kuvendin e Kosovës, ku as sot, për herën e 36-të, nuk pati vota për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ai, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, tha se i tërë procesi është kthyer në një praktikë rutinore dhe në një normalitet negativ, i cili pas çdo tentimi po e zbeh dhe po e dëmton demokracinë funksionale.
“Moskonstituimi po zgjatet përtej çdo pritjeje normale dhe çdo standardi demokratik, dhe në vend të përpjekjeve për dialog dhe arritjes së një marrëveshjeje, partitë politike po zgjedhin që t’i japin prioritet ngërçit të qëllimshëm, ku prioritet kanë interesat personale e partiake, por askund interesin e përgjithshëm publik”, ka thënë Kolshi.
Tutje, Kolshi ka theksuar se kjo gjendje është e rrezikshme për funksionimin demokratik të Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se Gjykata Kushtetuese është brenda afatit kohor për shqyrtimin e lëndës së dorëzuar nga AAK-ja, duke shtuar se ajo mund ta skicojë rrugën për daljen nga kjo situatë, por nuk mund ta ndryshojë apo imponojë vullnetin e deputetëve.
“…nuk mund ta imponojë vullnetin dhe votën e deputetëve, por vetëm mund ta skicojë dhe tregojë rrugën dhe përgjegjësitë e deputetëve, të cilat në një kuptim i ka sqaruar me Aktgjykimin e vitit 2014…”, ka thënë ai.