Ministria për Punë të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se sot kur mbahen zgjedhjet lokale atje ka ndërmarr masa dhe aktivitete brenda kompetencave të saj me qëllim sigurimin e një zbatimi të qetë dhe të sigurt të procesit zgjedhor.
“Sipas vlerësimeve të bëra dhe planeve të përcaktuara, në ditën e zgjedhjeve, zyrtarët e policisë do të jenë të pranishëm pranë qendrave të votimit, si dhe në pikat kyçe të trafikut, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe zbulimin në kohë të shkeljeve të mundshme të rendit dhe qetësisë publike. Siguria e qytetarëve do të garantohet me mjete standarde materiale dhe teknike, ekipe mobile dhe operacione në pika kontrolli, si dhe do të përdoret teknologji moderne – dronë për kontrollin ajror me qëllim reagimin më të shpejtë dhe ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve të duhura në rast incidentesh”, njoftojnë nga MPB.
Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, në një deklaratë për mediat pas realizimit të së drejtës së votës, tha se mbi 90 përqind e forcave në dispozicion të Ministrisë u aktivizuan sot dhe se ato janë të përqendruara në zhvillimin e një procesi zgjedhor paqësor.
“Po marrim masa parandaluese për të ndërmarrë të gjitha ato veprime që duhen ndërmarrë në kuadër të procesit zgjedhor. Jemi në terren rreth qendrave të votimit, duke kontrolluar ato ‘pika të nxehta’ ku do të ketë një prani më të madhe njerëzish. Për momentin, nuk kemi probleme gjatë ditës së zgjedhjeve”, tha Toshkovski./Alsat