Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka kërkuar nga institucionet publike dhe private të zbatojnë masa mbrojtëse për punëtorët, për shkak të rritjes së temperaturave, gjatë periudhës 11–15 gusht 2025.
Sipas vendimit të MSH-së, duhet të shmanget puna në ambiente të jashtme nga ora 11:00 deri në 16:00.
Për gratë shtatzëna është kërkuar që në këtë orar të lirohen nga puna, nëse nuk është e mundur të punojnë nga shtëpia. Po ashtu, oraret e punës duhet të përshtaten herët në mëngjes ose pasdite, sidomos në vendet pa ajrosje të mjaftueshme apo pika freskimi.
Për personat me sëmundje kronike, MSH rekomandon punë me orar të shkurtuar – maksimumi 4 orë në ditë.
Qytetarëve, ndërkohë, u rekomandohet: të shmangin qëndrimin jashtë në kulmin e nxehtësisë, të konsumojnë sa më shumë ujë, të shmangin pijet e gazuara, të përdorin kapele dhe syze dielli, të mos lënë fëmijët vetëm në vetura.
MSH thekson se temperaturat e larta mund të ndikojnë negativisht në shëndet, sidomos tek fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike dhe punëtorët që punojnë në kushte të nxehta.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, në ditët në vijim pritet rritje e ndjeshme e temperaturave, të kombinuara me lagështi të lartë, duke përkeqësuar ndjesinë termike dhe rrezikuar shëndetin e grupeve më të ndjeshme.
