Partia Demokratike e Kosovës ka shënuar performancën më të mirë zgjedhore në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të vitit 2025, duke u renditur si fituesja më e madhe në aspektin e rritjes së votave për kandidatët për kryetarë komunash.
Kështu ka vlerësuar analisti politik, Shenoll Muharremi, në një analizë të publikuar mbi bazën e të dhënave të KQZ-së.
Sipas tij, PDK ka arritur të rrisë numrin e votave për kandidatët për kryetarë komunash nga 177,297 në zgjedhjet e vitit 2021 në 199,484 në vitin 2025, duke shënuar një rritje prej +22,187 votash, apo +12.5%.
“Në këtë raund PDK është partia me rritjen më të madhe neto krahasuar me 2021, sa i përket votave për kryetarë komunash. Rezultatet sugjerojnë konsolidim dhe rritje cilësore për PDK në zgjedhjet lokale dhe një momentum të qëndrueshëm për zgjedhjet nacionale, sidomos nëse ruhet ky ritëm në balotazh,” ka theksuar Muharremi.
Në krahasim, ai ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka pasur një rritje më të vogël, prej +8,152 votash, megjithatë mbetet me numrin më të lartë të përgjithshëm të votave për kryetarë, me 224,381 vota, krahasuar me 199,484 të PDK-së.
Sipas analizës, PDK ka shënuar rritje të dukshme në disa komuna kryesore:
- Prishtinë: +9,968 vota
- Prizren: +5,362
- Lipjan: +3,760
- Vushtrri: +3,279
- Istog: +2,595
Muharremi e ka cilësuar rritjen në Prishtinë si “rritjen më të madhe urbane në Kosovë dhe rikthim të fuqishëm të PDK-së në kryeqytet”.
Ndërsa në disa komuna si Ferizaj (-2,907), Kamenicë (-1,413), Mitrovicë (-1,198) dhe Drenas (-1,046), PDK ka pësuar rënie të lehtë të votave, edhe pse në disa prej tyre ka ruajtur pozitat fituese.
Në aspektin rajonal, Muharremi vlerëson se:
- Qendra (Prishtinë, Lipjan, Fushë Kosovë, Obiliq) ka shënuar rritje neto, me “shpërthim” në Prishtinë;
- Lindja (Gjilan, Viti, Kamenicë) ka rritje të pjesshme;
- Jugu (Prizren, Ferizaj, Kaçanik, Shtime) paraqet stabilitet;
- Veriu (Mitrovicë, Skenderaj, Vushtrri) shënon konsolidim të plotë të bazës;
- ndërsa Perëndimi (Pejë, Istog, Rahovec, Klinë, Gjakovë) ka rezultate të përziera me rritje numerike, por pozicion më të dobët rajonal.
“Sfida kryesore për PDK-në mbetet vazhdimi i këtij momentumit dhe konsolidimi rreth Prishtinës, si dhe gjetja e zgjidhjes për rajonin perëndimor, ku pozicioni mbetet i brishtë,” ka përfunduar Muharremi.