Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati i është përgjigjur deputetit nga radhët e PDK-së Abelard Tahiri në postimin e tij ndaj kritikave për lënien jashtë pagës minimale të tri kategorive.
Me anë të një postimi në Facebook, Murati ka krahasuar qeverisjen e LVV-së me atë të PDK-së përgjatë viteve.
“Herën e fundit kur PDK ka qeverisur me vendin, me koalicionin PAN gjatë 2017–2020, pensionet për veteranët, familjet e dëshmorëve, dhe invalidët e luftës janë rritur 0 euro. Herën e parafundit kur PDK ka qeverisur me vendin, në koalicion me LDK gjatë 2014-2017, e kishte fshirë nenin 18 të ligjit që e lidhte pensionin e veteranit me pagën minimale. Kjo kërkesë kishte ardhur nga FMN-ja, pasi listat e veteranëve kishin filluar të mbusheshin edhe me ata që nuk i plotësonin kriteret, dhe kjo rrezikonte eskalim të kostos deri aty sa mund ta rrezikonte stabilitetin financiar. “, ka shkruar Murati.
Mes të tjerash, ai ka thënë se në deklarimin e Tahirit pati edhe gabime.
“Ndërkaq pensionet për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës asnjëherë s’kanë qenë të lidhura me pagën minimale, por kjo e dëshmon se sa pak din Abelard Tahiri për këtë temë. Gjatë kohës time si ministër, pensionet për kategoritë e luftës janë rritur për së paku 20%. Gjithashtu, gjatë kohës time si ministër është 4-fishuar buxheti i FSK-së, duke arritur për herë të parë të përmbushim kriterin e NATO-s prej 2% të BPV-së. Këto janë faktet.”, ka shkruar ai.