Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i është përgjigjur kryetarit aktual të Prishtinës, Përparim Rama, i cili e akuzoi për bllokimin e buxhetit komunal dhe për vonesën e pagave të punëtorëve të ndërmarrjes “Gjelbër”, duke e lidhur këtë me motive politike.
Murati tha se ndërmarrjet komunale janë nën menaxhimin e komunës dhe se qeveria qendrore nuk ka asnjë kompetencë mbi to.
Ai shtoi se shumica e ndërmarrjeve publike në Prishtinë janë para kolapsit financiar për shkak të keqmenaxhimit dhe mbipunësimit gjatë qeverisjes së Ramës, dhe se “gjithçka tjetër është broçkulla”.
“Dështimi total në qeverisje nuk mbulohet me arsyetime të pavërteta, Përparim. Ndërmarrjet publike komunale janë nën menaxhimin e komunës dhe qeveria qendrore s’ka asnjë kompetencë tek to. Shumica e ndërmarrjeve publike në Komunën e Prishtinës aktualisht gjenden para kolapsit financiar për shkak të keqmenaxhimit e mbipunësimit që ka bërë qeverisja e Përparim Ramës. Kjo është arsyeja kryesore. Gjithçka tjetër është broçkulla”, ka shkruar Murati.
Ai theksoi se Qeveria nuk mund të bllokojë buxhetin e asnjë komune.
“Kurse sa i përket buxhetit, tashmë disa herë e kam sqaruar për publikun se qeveria qendrore nuk ka bllokuar e as që mund të bllokojë buxhetin e ndonjë komune. Komuna e Prishtinës e ka bllokuar vetveten duke mos e kaluar projekt-buxhetin brenda afatit ligjor”, ka shkruar tutje ai.
Rama: Bllokimi i buxhetit, me prapavijë të qartë politike – kemi iniciuar padi ndaj Muratit