Kryekrimineli serb Millan Radoiçiqi i cili edhe organizoi gjithë sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit vazhdon ta gëzojë mbrojtjen e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Kështu ka thënë eksperti i sigurisë, Agim Musliu, e ku edhe thekson se përkundër se gjitha faktet dëshmojnë se sulmi ishte një operacion i planifikuar e i mbështetur nga nivelet më të larta të shtetit serb, megjithatë Serbia as pas dy vitesh nuk ka marrë një ndëshkim nga ndërkombëtarët.
Postimi i plotë i Agim Musliut në dy vjetorin e sulmit në Banjskë:
24 Shtatori i Banjskës – Dy vjet nga agresioni ndaj Kosovës dhe nevoja për ndëshkimin e Serbisë
Sot shënohet dyvjetori i sulmit terrorist dhe paramilitar të organizuar nga Serbia kundër Kosovës, që konsiderohet edhe agresioni më i madh shtetëror i Serbisë ndaj sovranitetit të Kosovës që nga përfundimi i luftës.
Faktet e dokumentuara nga terreni, përgatitja dhe armët e grupit terrorist, hartat, videot dhe materialet e tjera ushtarake si dhe kanali i sigurt për depërtim në Kosovë dëshmojnë se ky sulm ishte një operacion i planifikuar, organizuar dhe i mbështetur nga nivelet më të larta të shtetit serb. Presidenti Aleksandar Vuçiq, qeveria e Serbisë dhe forcat e armatosura të Serbisë ishin të përfshira në mënyrë direkte dhe indirekte në këtë ndërmarrje. Objektivi final ishte krijimi i një zone të kontrolluar nga Beogradi në veri të Kosovës, si hap drejt aneksimit de facto të asaj pjese të territorit. Atë ditë edhe ushtria e Serbisë ka qenë në gjendje gatishmërie për të mbështetur terroristët.
Edhe pas ekspozimit ndërkombëtar të Milan Radoiçiq si udhëheqës i sulmit, ai vazhdon të gëzojë mbrojtje të plotë nga shteti serb dhe personalisht nga presidenti Vuçiq. Ky fakt shpalos hapur lidhjen organike mes politikës zyrtare të Beogradit dhe strukturave kriminale-paramilitare që përdoren si instrumente të strategjisë shtetërore. Përveç që i lirë Radoiçiq ushtron ndikim në terren në mbështetje të SNS-it si rasti i djeshëm në komunën e Kosjeriqit e deri te ndikimi te Lista Serbe në zgjedhjet lokale në Kosovë.
Edhe pse fakti i agresionit është i pamohueshëm, reagimi i shteteve perëndimore dhe i institucioneve ndërkombëtare ka qenë i vakët dhe shpesh i kufizuar në deklarata të përgjithshme. Një akt i këtij niveli, i cili përbën shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe të parimeve të sigurisë kolektive, kërkon masa të qarta ndëshkuese ndaj Serbisë, sikurse sanksionet ekonomike, bllokim i procesit integrues dhe sanksionet individuale e futja në listë të zezë të lidershipit politik në Serbi. Kosova nuk kërkon asgjë më shumë sesa respektim të sovranitetit të saj dhe mbrojtjen e rendit ndërkombëtar që e garanton atë. Ndëshkimi i Serbisë për agresionin e 24 shtatorit nuk është vetëm interes i Kosovës, por një domosdoshmëri për stabilitetin e rajonit dhe kredibilitetin e rendit ndërkombëtar.