Rasim Selmanaj, njëri nga të mbijetuarit e masakrës së Burgut të Dubravës, në rrëfimin e tij ekskluziv për emisionin Five, ka treguar se transferimi i të burgosurve politikë drejt këtij burgu nuk ishte i rastësishëm, por pjesë e një skenari të paramenduar nga autoritetet serbe.
“Më 29 prill 1999, na morën me tri autobusë nga burgu i Nishit, pa na treguar ku po na dërgonin. Kur arritëm në Lluzicë, avionët e NATO-s bombarduan – goditën një autoblindë që shoqëronte eskortën tonë. Pati një shpërthim të madh, autobusi lëvizi fuqishëm, ishte kaos,” tha Selmanaj.
Pas sulmit, vetëm një autobus arriti në Dubravë, ndërsa dy të tjerët u kthyen në Lipjan për një natë. Të nesërmen, përmes rrugëve alternative, edhe ata u transferuan në Dubravë.
“Pastaj i sollën edhe të burgosurit politikë nga Prizreni, Lipjani, Gjilani dhe 155 civilë nga Gjakova. Më vonë e kuptuam qëllimin: donin të na grumbullonin të gjithëve në një vend për t’na vrarë.”
Selmanaj thotë se forcat serbe e kishin të qartë që NATO mund të bombardonte Dubravën për shkak të pranisë ushtarake brenda kompleksit të burgut.
“Ata e dinin që aty ishin bazat ushtarake, policore, edhe komandat e radiolidhjes. Na përdorën si mburojë njerëzore, me shpresën se NATO nuk do të bombardonte një vend ku ndodheshim ne.”
Por më 19 maj, NATO e bombardoi Dubravën. Goditja ishte e fuqishme.
“Dera e pavionit tonë u përplas, gjithçka u përmbys. Disa të burgosur arritën të thyenin derën me kazma dhe dolëm jashtë. Nga ajo ditë, qëndruam kryesisht jashtë ose ku të mundnim.”
Masakra ndodhi mëngjesin e 22 majit, një ditë pas qëndrimit në fushën e sportit.
“21 majin e kaluam të gjithë të shtrirë në fushën e sportit. Të nesërmen në mëngjes ndodhi kasaphana.”
Në rrëfimin e tij, Selmanaj përmend edhe emra konkretë të kriminelëve që ishin të burgosur me ta, por që më vonë dolën të lirë.
“Ka pasur të burgosur serbë që sot janë të lirë. Njëri prej tyre, Svetlan Martinoviq, vrau dy shqiptarë nga familja Caçaj në Deçan. Sipas një interviste që e dëgjova nga shoku im i burgut, Naser Tahirsylaj, Martinoviqi sot jeton në Londër me familje, sikur asgjë s’ka ndodhur.”
“Dhe ka pasë të tjerë, përfshirë atë që hapi zjarr me armë ndaj të burgosurve politikë shqiptarë. Të gjithë me emër e mbiemër, të njohur – por askush nuk po merret me ta.”