Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Nagavci ka thënë se pret një “trajtim profesional nga Gjykata dhe miratim të kërkesës” dhe ka theksuar rëndësinë e vendimit për funksionimin demokratik të institucioneve.
“Besojmë se kërkesa jonë është e drejtë dhe se argumentet tona janë të qarta e të bazuara në Kushtetutë. Presim një trajtim profesional nga Gjykata dhe miratimin e kërkesës sonë. Ashtu siç e kemi cekur edhe në Kërkesë, presim që Gjykata të nxjerrë Aktgjykim me të cilin vendos: – të anulojë Dekretin nr. 24/2026, të datës 06.03.2026, të Presidentes për shpërndarjen e Legjislaturës së Dhjetë (X) të Kuvendit të Republikës së Kosovës; -si dhe të urdhërojë deputetët e Kuvendit që të vazhdojnë përpjekjet për zgjedhjen e Presidentit/Presidentes së re, brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh nga nxjerrja e këtij aktgjykimi. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është thelbësor për respektimin e rendit kushtetues, funksionimin demokratik të institucioneve dhe garantimin e stabilitetit institucional në vend”, shkruan Nagavci në Facebook.