Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, është transferuar në Klinikën e Neurologjisë në QKUK.
Ndërkohë, drejtori i Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhibeqiri, bëri të ditur për mediat se Murseli është shtruar në Klinikën e Psikiatrisë që një javë më parë dhe do të qëndrojë atje deri në përfundimin e ekzaminimit të tij psikiatrik.
Sipas Gjykatës Themelore në Prishtinë, ekzaminimi është urdhëruar më 9 qershor, pas kërkesës së mbrojtjes së Murselit.
Trupi gjykues ka autorizuar Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë që ta kryejë vlerësimin.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 04 Qershor 2025 ka aprovuar kërkesën e mbrojtëses të të akuzuarit N.M. për lëshimin e Urdhrit për Ekzaminimin Psikiatrik për të njëjtin. Me datë 09.06.2025 trupi gjykues në këtë çështje penale ka lëshuar Urdhëresë përmes së cilës është urdhëruar Instituti i Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë të bëjë Ekzaminimin Psikiatrik për të akuzuarin N.M”.
Seanca e radhës gjyqësore, është caktuar për datën 2 korrik.
Liridona Ademaj, 30 vjeçe, u vra mbrëmjen e 29 nëntorit 2023, në hyrje të fshatit Bërnicë të Prishtinës, teksa po kthehej në shtëpi me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre. Ajo u qëllua për vdekje me armë zjarri. Përveç Naim Murselit, për këtë krim janë të akuzuar edhe Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.