Arben Fetoshi, drejtor i Institutit Octapus, ka folur lidhur me propagandën e Serbisë, sidomos në raport me Kosovën në prag të festës së Vidovdanit.
“Në mënyrë të ngjashme është parapërgatitur një cikël i dhunës dhe i përgjakjes së krejt hapësirave të ish-Jugosllavisë. Narrativat janë të njëjta me ato që ka bërë në mënyrë intensive Serbia para fillimit të luftës në Bosnje e Hercegovinë, edhe para fillimit të luftës në Kroaci, dhe ajo që ka të bëjë me retorikën e Millosheviqit… në Kosovë të vitit 1989, edhe një narrativë e cila implikon edhe Akademinë e Shkencave të Serbisë, që lidhet po ashtu me rastin Martinoviq që nga viti 1986 në Gjilan”, ka thënë ai.
“Kemi të bëjmë me një qasje lineare e cila tani është më e sofistikuar, është më e rrezikshme, është më perfide, edhe si pasojë e ndërthurjes me strategjitë e Rusisë. Pra, kemi të bëjmë me një bosht”, ka thënë ai, duke shtuar se krejt kjo bëhet me qëllim të mbajtjes gjallë të tensioneve dhe një gjendje jo stabile në Republikën e Kosovës.
“Kjo është strategjia e Serbisë aktualisht në pjesën veriore të vendit. Duke ndjekur strategjinë e tyre të viktimizimit të serbëve, ata duan me çdo kusht që ta minojnë sa më shumë që është e mundshme përforcimin e institucioneve të sundimit të ligjit në pjesën veriore të vendit tonë”, ka thënë ai.
Tutje, Fetoshi ka thënë se qëllim tjetër i Serbisë është edhe pengimi “me çdo kusht” i qytetarëve serbë, duke i mbajtur të manipuluar në vazhdimësi.
Ai ka shtuar se Serbia nuk po e pranon realitetin në Kosovë dhe se ajo po provon për “një rikthim më agresiv” në Kosovë përmes propagandës së saj dhe në koordinim me Kishën Ortodokse Serbe, duke shtuar se kjo është shqetësuese për vendin tonë.
Serbia, sipas Fetoshit, i ka përdorur datat solemne në vazhdimësi.
“…edhe 28 qershorin, ditën e Vidovdanit që i thonë ata, që është gjithashtu një keqpërdorim absurd i ndërlidhjes së fesë dhe vlerave të fesë me ambiciet e tyre politike, që po lëvizin në drejtim të rritjes së sentimenteve antishqiptare, që nuk na çojnë askund tjetër përveçse në një mundësi potenciale të rikthimit të dhunës, siç e kemi kaluar në vitin 1999”, ka thënë ai.