Demokracia në Veprim (DnV) ka njoftuar se gjatë dy orëve të fundit para përfundimit të votimit janë raportuar ndërprerje të energjisë elektrike në të paktën dy qendra votimi. Po ashtu, në një vendvotim tjetër është konstatuar problem me mospërputhjen e kodeve në fletëvotime.
Sipas DnV-së, pas dhjetë orësh nga hapja e vendvotimeve, procesi zgjedhor po zhvillohet përgjithësisht në mënyrë të qetë, me një rritje të interesimit të qytetarëve. Dalja në votime deri në orën 17:00 ka arritur 38,9 për qind, pothuajse e njëjtë me zgjedhjet e 9 shkurtit (rreth 39 për qind).
Rajonet me daljen më të lartë në votime janë komunat me shumicë serbe (rreth 47%) dhe rajoni i Prishtinës (rreth 43%).
DnV ka evidentuar disa parregullsi gjatë votimit. Vështirësi për votuesit në gjetjen e vendvotimit të saktë, të raportuara në rreth 70% të vendvotimeve, me deri në 30 raste të tilla në 15% të qendrave.
Në votimin me asistencë, në 9% të vendvotimeve nuk është evidentuar ky proces siç duhet. Në 75% të vendvotimeve, komisionerët kërkonin dokumente mjekësore për të gjithë qytetarët që kërkonin asistencë, dhe në 55% të vendvotimeve votimi nuk është lejuar pa këto dokumente, pavarësisht kërkesës së votuesve.
Votimi me dokumente të pavlefshme është evidentuar në 30% të vendvotimeve, ndërsa 10% e qendrave kanë regjistruar raste të identifikimit me dokumente jo valide.
21 raste të fotografimit të votës janë shënuar deri në orën 17:00, duke u evidentuar në 3% të vendvotimeve, si shkelje e fshehtësisë së votimit dhe potencialisht si lidhje me blerjen e votës ose frikësimin e qytetarëve.
DnV thekson se, përveç këtyre rasteve të izoluara, procesi po zhvillohet në mënyrë të përgjithshme të qetë dhe pjesëmarrja mbetet e ngjashme me zgjedhjet e fundit.