Vendimi për ta ndihmuar popullin palestinez ishte marrë më 31 janar, dhe pothuajse gati një vit pas, tek sot anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova dedikuar për popullin e Gazës, është nisur nga porti i Mersinit në Turqi.
Kështu ka njoftuar kryeministri në detyrë Albin Kurti, duke e falënderuar Turqinë për ndihmën në realizimin e këtij operacioni humanitar.
Dërgesa në vlerë 500 mijë euro, përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë për banorët në nevojë.
“Kjo ndihmë humanitare përfaqëson angazhimin e Republikës së Kosovës si pjesë e solidaritetit ndërkombëtar dhe përkushtimin tonë për të mbështetur popullatën civile që po përballet me vështirësi tejet të mëdha në Gaza. Na gëzon fakti që jemi qeveria e parë e Republikës së Kosovës që arrijmë të ofrojmë një mbështetje të tillë për banorët e Gazës. Shpresojmë që ajo të kontribuojë, qoftë edhe në mënyrë modeste, në lehtësimin e vuajtjeve dhe në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet për të gjithë”- Albin Kurti – Kryeministër në detyrë
Duke pasur parasysh luftën e përgjakshme me mijëra viktima, e po ashtu edhe kufizimet në ushqime dhe gjëra esenciale për jetë, kjo ndihmë po vlerësohet hap human dhe shumë i nevojshëm.
“Së këndejmi një popullatë që i është nënshtruar gjenocidit dhe shfarosjes, sigurisht se duhet të ndihmohet nga të gjitha shtetet edhe në rastin tonë, Kosova nuk duhet të rrijë prapa shteteve tjera, në emër të humanizmi dhe në emër si të themi të rreshtimit me shtetet të cilat lënë gjurmë të mira në historinë e njerëzimit”, ka thënë Korab Blakaj – Njohësi i çështjeve të sigurisë.
Në tetor të vitit 2023, pikërisht Kurti e më pas edhe të tjerët përfaqësues shtetëror ishin rreshtuar publikisht krah shtetit Izraelit duke i dënuar sulmet që ishin kryer ndaj tij nga Hamasi, e shpallur si organizatë terroriste nga ndërkombëtarët.
Një raport i OKB-së në dhjetor konstatoi se një çereku i popullsisë së Gazës, që llogaritet të jetë rreth 2.3 milionë, vuan nga uria.