Në tokën kur dikur u derdh gjak për liri, sot përjetësohen emrat që nuk do të shuhen kurrë.
Në ditën e çlirimit të komunës së Istogut, të premten u përurua memoriali “Dëshmorët e Kombit” në nderim të dëshmorëve që dhanë jetën për Kosovën.
Mes dhimbjes, mallit e nderimit, në sytë e familjarëve të të ndjerëve, sakrifica e tyre u vlerësua nga udhëheqësja e shtetit.
“Po e përurojmë këtë memorial i cili do jetë përherë dëshmi e gjakut të derdhur e trimërisë e lavdisë që muk do zbehet asnjëherë. Vrellën e Istogut e nderon historia, e nderojnë këta emra të rreshtuar të UÇK-së për lirinë tonë. Ata i treguan botës se Kosova ka bijë e bija. UÇK është zemra e rezistencës tonë kombëtare”, ka thënë Vjosa Osmani – Presidente e Kosovës.
Fjala e nikoqit, kryetarit Ilir Ferati, nuk ishte vetëm një përshëndetje por një përulje para atyre që zgjodhën të mos jetojnë për vete.
“Ky vend sot flet vetëm me gurë e emra, flet me lavdi e zotim. Ky memorial është dëshmi e përjetshme se Kosova nuk u çlirua lehtësisht por me sakrificë sublime. Këtu po pushojnë ata që zgjodhën të jetojnë përjetësisht”, ka thënë Ilir Fetari, Kryetari i Istogut.
Ai që dikur luftonte me këta dëshmorë, u shpreh krenar të ketë shërbyer përkrah tyre.
“Nuk duhet të fshihemi, duhet t’i rivarrosim të gjithë këtu e sidomos në ditën e Çlirimit. Duhemi bashkë, jo të ndarë. Kemi njerëz shumë që e ruajnë lirinë tonë. Falënderoj luftëtarët e UÇK-së, ju jam mirënjohës atyre që punojnë për sigurinë tonë”, ka thënë Ramush Haradinaj, Ish-komandant në zonën e Dukagjinit.
Në këtë kompleks memorial u rivarrosën javën e kaluar 34 dëshmorë, ndërsa aty janë shkruar edhe emrat e personave, fati i të cilëve nuk dihet.