Në varrezat e fshatit Hajvali në Prishtinë janë kryer gërmime nën dyshimin për praninë e mbetjeve mortore të personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Sipas njoftimit, janë gjetur eshtrat e të paktën tre personave, që dyshohet të jenë të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999.
“Njësitet policore të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në koordinim me IML-në dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, kanë realizuar urdhëresën e Gjykatës Themelore Prishtinë për gërmim në varrezat e fshatit Hajvali, me ç’rast kanë gjetur mbetje eshtërore të njeriut, që dyshohet të jenë të paktën tre personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë 1998-1999”, thuhet në njoftim.
Mbetjet eshtërore janë tërhequr nga IML-ja për ekzaminime mjeko-ligjore, me qëllim të identifikimit të viktimave.
Punimet në terren pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa rasti mbetet në proces hetimi.