Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se në lokacionin Lugjet e Nekës, në Bjeshkët e Strellcit, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës, të cilat ende figurojnë në listën e personave të zhdukur.
Ky veprim është realizuar pas informacioneve të pranuara nga qytetarët, të cilat u adresuan në bashkëpunim me Sektorin e Policisë për Persona të Zhdukur, në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, si dhe me Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), me mbështetjen e ekspertëve të EULEX-it thuhet në njoftim.
Me urdhër të Prokurorit kompetent, mbetjet mortore janë dërguar në IML për ekzaminime të mëtejme dhe identifikim përmes analizës së ADN-së.
Komisioni theksoi se mbetet i përkushtuar për zbardhjen e fatit të çdo personi të zhdukur dhe do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare. Po ashtu, iu bë thirrje qytetarëve që të ndajnë çdo informacion që mund të ndihmojë në këtë proces.