Në pritje të ratifikimit, më 2025 Kosova shkeli dhjetëra afate reformash nga plani i rritjes

Vetëm vitin e kaluar ishin paraparë 33 reforma, si kusht për të përfituar fonde nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, por në pritje të ratifikimit e pa Kuvend, Kosova shkeli dhjetëra afate duke e vonuar vetën. Përkundër kësaj, për një pjesë ekziston një afat shtesë, ndërsa BE-ja i tha Dukagjinit se Kosova është ende e kualifikuar për të përfituar deri në 882 milionë euro

Plot 33 kushte të vendosura për Kosovën për të përfituar nga pagesat nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor i Bashkimit Evropian kanë pasur afat për përmbushje fundin e Qershorit ose Dhjetorit të vitit të kaluar.

Një pjesë e madhe e tyre janë ligje që do të duhej të miratoheshin dhe të hynin në fuqi, por që në mungesë të një Kuvendi funksional kanë mbetur pezull, duke rrezikuar hise nga fondet e parapara për Kosovën.

Prej ligjeve që do të duhej miratuar para nisjes së këtij viti, janë: Kodi Civil; Ligji për institucionet mikro-financiare dhe ato jo-bankare; ai për bankrotimin; tërësia e ligjeve për barrën administrative; pakoja e ligjeve për energjinë e po ashtu ligji për Rregullatorit për Energji, e të tjerë.

Tek të gjithë synimi është harmonizimi me legjislacionin e BE-së.

Por, disa prej kushteve që nuk janë të lidhura me Kuvendin janë përmbushur, sikur: ri-anëtarësimi i plotë në asociacionin evropian për cilësi në arsim ENQA, vendosja e regjimit të vizave për shtete ndaj të cilave BE-ja e aplikon atë – së paku një çdo vit e të tjerë.

Përkundër kësaj, ende ka shpresë për kapjen e disa prej afateve rezervë, pasi Plani i Rritjes parasheh një “greis periudhë” prej një viti për të gjithë hapat që do të duhej të kryheshin deri në Qershor 2025.

Fondet për reformat e parapara në këtë afat humben përfundimisht vetëm nëse nuk përmbushen deri në fund të “greis periudhës”.

Një “afat shtesë” i tillë nuk përmendet për ato që afat të fundit kishin Dhjetorin 2025.

Përkundër deklaratave të pushtetarëve, përfshirë kryeministrin në detyrë, se një pjesë e mjeteve veçse kanë humbur, në një përgjigje për TV Dukagjini, BE-ja la të kuptohet se zyrtarisht ekziston mundësia e qasjes në tërësinë e fondit.

“Kosova ishte nga partnerët e parë nga Ballkani Perëndimor që miratoi Agjendën e Reformave të kërkuar nga Plani i Rritjes i BE-së, i cili ishte miratuar nga Komisioni Evropian në Tetor 2024. Prandaj, Kosova mbetet e kualifikuar për të përfituar deri në 882 milionë euro në kuadër të Planit të Rritjes, në varësi të hyrjes në fuqi të marrëveshjeve për reformë dhe rritje, e po ashtu kushteve tjera për pagesë”.-BASHKIMI EVROPIAN

Duke vënë në pah faktin se Plani i Rritjes është i afatizuar vetëm deri në vitin 2027, BE-ja tregoi se zvarritjet prodhojnë efekt negativ.

“Për shkak të vonesave në formimin e institucioneve, marrëveshjet për reforma dhe rritje nuk janë ende në fuqi. Pa ratifikimin e marrëveshjeve, Kosova nuk mund të bëj kërkesë për pagesa”.-BASHKIMI EVROPIAN

Kosova nënshkroi marrëveshjet e dala nga Plani i Rritjes në fund të vitit 2024, ndërsa dy legjislatura, e teta dhe e nënta, dështuan t’i ratifikojnë ato, për t’u hapur rrugë përfitimeve nga grantet dhe kreditë afatgjata me interes të ulët.

Shija e redaktorit

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Dukagjini Resort dhe The Northern prezantohen në panairin më të...

Projekti Dukagjini Resort së bashku me The Northern do të marrin pjesë në MIPIM Cannes, panairin më të madh ndërkombëtar patundshmërisë në botë. Projekti do...

“Dukagjini” mbajti seminarin “mirëqenia psikologjike e mësimdhënësve dhe vetëkujdesi”

Qindra mësimdhënës nga shkolla të ndryshme nga mbarë vendi u bashkuan në seminarin e organizuar nga shtëpia botuese “Dukagjini”, me temë “Mirëqenia psikologjike e...

Të fundit nga rubrika