Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ndaluar për 48 orë nëntë kryesues të komisioneve të numërimit të votave, nën dyshimin për falsifikim të rezultateve zgjedhore gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike në Komunën e Rahovecit.
Sipas njoftimit, veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale në Gjakovë, ndërsa në kuadër të hetimeve janë intervistuar gjithsej 17 kryesues.
Të gjithë të dyshuarit ngarkohen për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, e paraparë në nenin 216, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, nëntë prej tyre janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria ka paraqitur kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit.
“Në kuadër të këtyre veprimeve janë intervistuar 17 (shtatëmbëdhjetë) kryesues. Të gjithë të dyshuarit ngarkohen për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 9 (nëntë) kryesues janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndaj të cilëve Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe në trajtimin me prioritet të veprave penale që cenojnë votën e lirë dhe demokratike të qytetarëve.