Nesër votohet për herë të katërt brenda vitit, KQZ është gati

Të dielën e 28 dhjetorit, mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote, janë ftuar të votojnë për herë të katërt brenda vitit.

Viti 2025 nisi me votime më 9 shkurt për Kuvendin e Kosovës, vazhdoi në vjeshtë me votimin për zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe 9 nëntorit dhe do të mbyllet me votimin e 28 dhjetorit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të shtunën në mëngjes ka shpërndarë materialin zgjedhor, përfshirë fletëvotimet për në 38 komunat e Republikës së Kosovës.

24 subjekte politike me 1,180 kandidatë janë në garë për ulëse në legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës, prej të cilave 8 janë subjekte shqiptare me 624 kandidatë, ndërkaq pjesa tjetër janë subjekte nga radhët e komuniteteve pakicë që garojnë për 20 ulëse të garantuara.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi ka treguar për hapat e fundit që KQZ është duke ndërmarrë para fillimit të votimit, të dielën, në orën 07:00 të mëngjesit.

“Sipas planifikimeve, materialet zgjedhore që janë vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit do të shpërndahen, si zakonisht, në orët e hershme të mëngjesit të së dielës për në qendrat e votimit. Numri i qendrave të votimit që do të hapen më 28 dhjetor është 948, prej të cilave 910 për votimin e rregullt me 2,557 vendvotime. Po ashtu, do të hapen edhe 38 qendra të votimit me gjithsej 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht”, njoftoi Elezi.

Më tej, Elezi ka treguar se pas përfundimit të votimit, në vendvotime do të fillojë numërimi i pjesës së fletëvotimit ku qytetarët kanë përzgjedhur subjektet politike dhe se janë bërë përgatitjet që të dielën në mbrëmje të transmetohen rezultatet preliminare për subjektet politike. Sipas tij, rezultatet e para pritet të vijnë nga vendvotimet që kanë numër të vogël votuesish, të cilat përfundojnë numërimin në kohë më të shpejt.

“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve të subjekteve politike në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit, ndërkaq, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendnit të Kosovës bëhet në Qendra Komunale të Numërimit, duke filluar nga dita e hënë. KQZ ka bërë përgatitjet që më 28 dhjetor të publikohen rezultatet preliminare të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Rezultatet nga vendvotimet e para, do të fillojnë të publikohen duke filluar para orës 20:00 dhe ato do të përditësohen vendvotim pas vendvotimi. Pra, brenda një kohe të shkurtër pasi numërohen fletëvotimet e një vendvotimi, do të publikohen të dhënat në platformën e rezultateve”, tha ai.

Përveç rezultateve, KQZ do të publikojë edhe të dhëna për pjesëmarrjen e votuesve në pesë orare të ndryshme, 09:00, 11:00, 13:00, 15:00, 17:00 dhe 19:00.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar brenda Kosovës është 1,999,204 votues, ndërkaq, në këtë listë nuk janë të përfshirë 77,086 shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar nga jashtë vendit përmes postës apo në përfaqësitë diplomatike./KP

Shija e redaktorit

Pengesë vetoja ruse, “tani Kosova ka numër njohjesh për anëtarësim...

Bahamet u bënë shteti i katërt që njeh Kosovën vetëm brenda vitit 2025, duke shënuar një ringjallje të këtij procesi pas një periudhe shterpe...

Ndihmat humanitare nga Kosova për Gazën nisen me anije nga...

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova për Gazën është nisur nga porti i...

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Të fundit nga rubrika