Gjermania mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës në zhvillim dhe integrim evropian. Që nga paslufta, mbështetja gjermane ka qenë e rëndësishme që nga rindërtimi i infrastrukturës bazike deri te projektet e sotme për energji të qëndrueshme, inovacion, zhvillim urban dhe arsim profesional.
Sekretari Shtetëror Parlamentar në Ministrinë për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë, Johann Saathoff, para se të nisë vizitën e tij në Kosovë ka theksuar rëndësinë e këtij partneriteti, duke përmendur shembuj si Parku i Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren, projektet energjetike, si dhe mbështetjen për arsimin dual.
Ai ka vlerësuar gjithashtu rolin e diasporës kosovare në Gjermani si një urë të fuqishme bashkëpunimi mes dy vendeve.
Në një intervistë për Telegrafin, Saathoff flet për fushat ku do të përqendrohet mbështetja gjermane në të ardhmen, ndikimin e projekteve në krijimin e vendeve të punës, dhe potencialin e diasporës për zhvillim ekonomik afatgjatë.
Telegrafi: Z. Saathoff, si e vlerësoni bashkëpunimin ekonomik mes Gjermanisë dhe Kosovës deri më tani?
Saathoff: Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik e Gjermanisë ka bashkëpunuar ngushtë, me besim dhe me sukses me Kosovën për 26 vjet. Ndërsa në vitin 1999 e mbështetnim Kosovën me ndihmë humanitare në kampet e refugjatëve, sot jemi pranë saj në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian dhe në avancimin e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. Bashkëpunimi për zhvillim nga Gjermania ka kontribuar në rindërtimin e Kosovës. Në periudhën pas luftës, kur kishte mungesë të ushqimeve, kemi ndihmuar në krijimin e zinxhirëve të furnizimit dhe kemi punuar për zgjerimin dhe përmirësimin e cilësisë së tyre. Kemi ndërtuar shkolla së bashku, kemi trajnuar mësimdhënës dhe institucione arsimore, kemi zhvilluar më tej kurrikulat dhe kemi hartuar e zbatuar strategji të reja. Pas shpalljes së pavarësisë, kemi mbështetur Kosovën në ndërtimin e administratës publike dhe që atëherë kemi vazhduar të forcojmë institucionet shtetërore. Së bashku kemi nisur dhe përmbyllur shumë procese reformash me synimin afatgjatë të afrimit me BE-në. Temat aktuale të bashkëpunimit tregojnë se sa larg ka arritur Kosova ndërkohë dhe sa i suksesshëm ka qenë e vazhdon të jetë bashkëpunimi ynë. Sot, bashkëpunimi ynë për zhvillim fokusohet në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, në çështjet klimatike, energjinë e qëndrueshme, zhvillimin urban dhe modernizimin e administratës.
Krenohemi me sukseset e përbashkëta të viteve të fundit. Një shembull i qartë është zhvillimi i qëndrueshëm urban. Për herë të parë pas luftës, falë bashkëpunimit tonë, kemi siguruar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për rreth 825.000 banorë të rajonit të kryeqytetit Prishtinë – që përfaqëson 40% të popullsisë së vendit. Gjithashtu, kemi mundësuar sistemin e parë funksional të kanalizimit në Kosovë, me një shtrirje potenciale për rreth 950.000 banorë. Për më tepër, kemi zgjeruar shërbimin e mbledhjes së mbeturinave në pothuajse të gjitha amvisëritë në vend. Kështu, shkalla e mbledhjes së mbeturinave është rritur nga 70,9% në vitin 2017 në 96,0% në vitin 2023 – me mbi 70.000 amvisëri të reja të përfshira dhe me një ulje të numrit të deponive ilegale nga 2.246 në 373.
Përmirësimet në tarifat e mbledhjes, zgjerimi i qasjes në ndarjen e mbeturinave për mbi 30.000 amvisëri dhe raportimi i qartë komunal kanë përmirësuar qëndrueshmërinë financiare dhe ekologjike të sistemit. Megjithatë, aktualisht reciklohet më pak se 10% e materialeve të ripërdorshme. Prandaj, po mbështesim Kosovën në rikuperimin e këtyre burimeve të vlefshme dhe në përshtatjen e menaxhimit të mbeturinave me standardet e BE-së dhe kërkesat e së ardhmes.
Në sektorin e energjisë, kemi arritur të sigurojmë ngrohje të përballueshme dhe të besueshme gjatë dimrit për 70.000 banorë të Prishtinës, duke ndërtuar sistemin e parë të ngrohjes qendrore në vend. Po ashtu, me ndërtimin e një linje të tensionit të lartë prej 240 kilometrash ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës, Kosova është integruar më mirë në rrjetin rajonal dhe evropian të energjisë elektrike – duke rritur stabilitetin e rrjetit dhe sigurinë e furnizimit.
Përmes sanimit energjetik të 31 objekteve komunale, kemi arritur së bashku një reduktim prej 40% të nevojës për energji nga burimet fosile. Po ashtu, 1.500 masa për sanimin energjetik të ndërtesave private të banimit, të financuara (bashkërisht) nga linja publike të financimit apo programe mbështetëse, kanë sjellë një ulje të konsumit energjetik prej gjithsej 25 MWh në vit.
Që nga periudha e rindërtimit, sektori privat në Kosovë është zhvilluar me dinamikë – nga një ekonomi kryesisht informale drejt një mjedisi gjithnjë e më konkurrues dhe miqësor ndaj bizneseve. Veçanërisht sipërmarrësit e rinj, start-up-et teknologjike dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme (NVM) po nxisin inovacionin dhe orientimin drejt eksportit, duke e pozicionuar Kosovën si një treg premtues në rajon. Edhe pse ekzistojnë dallime strukturore në krahasim me tregun e BE-së, fleksibiliteti i Kosovës, afiniteti digjital dhe gatishmëria për reforma krijojnë kushte tërheqëse për investime dhe partneritete – dhe ne e mbështesim Kosovën në këtë drejtim.
Po punojmë për ta përshtatur arsimin profesional me nevojat e tregut të punës. Sot, Kosova është shumë më e përgatitur në fushën e formimit profesional sesa më parë. Në dymbëdhjetë profile profesionale, nxënësit po përfundojnë tani programet trevjeçare të formimit dual. Analizat tregojnë se mbi 85% e tyre pritet të punësohen nga ndërmarrjet ku janë arsimuar. Kërkesa për programe të formimit dual është rritur ndjeshëm vitet e fundit.
Një shembull tjetër i bashkëpunimit tonë është Parku i Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren (ITP), një model i shkëlqyer i asaj që është e mundur sot në Kosovë përmes politikave të zhvillimit. Shndërrimi i suksesshëm i ish-kampit të KFOR-it është një histori e vërtetë suksesi! Ky projekt është zhvilluar dhe financuar bashkërisht nga të dy vendet tona. Sot, ITP punëson rreth 430 persona, kryesisht nga rajoni i Prizrenit. Me 60 ndërmarrje aktive dhe mbi 2.000 studentë të regjistruar në universitetin e vendosur brenda parkut, ky kompleks është shndërruar në një qendër të gjallë dhe dinamike. Po punojmë së bashku për ta zhvilluar më tej ITP-në dhe për ta pozicionuar si një qendër rajonale të inovacionit.
Telegrafi: Gjatë qëndrimit tuaj në Kosovë do të vizitoni disa nga projektet e financuara nga Qeveria Gjermane. A mund të ndani me ne disa detaje rreth tyre?
Saathoff: Fatkeqësisht, qëndrimi im në Kosovë nuk është aq i gjatë sa të mund të vizitoj të gjithë partnerët dhe projektet e bashkëpunimit tonë të përbashkët për zhvillim.
Një nga projektet e para që do të vizitoj është Parku i Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) i përmendur më herët. Në këtë park do të takoj jo vetëm ndërmarrje kosovare, por edhe investitorë të huaj. Ata janë pionierët që besojnë në vizionin që përfaqëson ky park dhe që sot po ndërtojnë e zhvillojnë kompanitë e tyre aty. Historitë dhe sukseset e tyre janë frymëzim për investitorë të tjerë të huaj që të vijnë në ITP – dhe në Kosovë.
Do të udhëtoj gjithashtu në Krushën e Madhe për të takuar Fahrije Hotin dhe kooperativën e saj bujqësore. Edhe ajo është një shembull i bashkëpunimit të suksesshëm mes vendeve tona. Fahrije Hoti është një grua vepruese. Para 16 vitesh, e kemi mbështetur në themelimin e kooperativës së parë bujqësore për gratë në Kosovë. Ajo që Fahrije dhe gratë përreth saj kanë arritur është prekëse. As zjarri që përfshiu punishten e saj para shtatë vitesh nuk e ndali. Gjermania e mbështeti Krushën sërish në rindërtim dhe në zgjerimin e strategjive të eksportit. Sot, Krusha është një faktor i rëndësishëm ekonomik në rajon.
Në Obiliq, së bashku me prodhuesin shtetëror të energjisë KEK do të vizitoj terrenin ku do të ndërtohet parku i parë publik fotovoltaik. Në grumbujt e hirit të qymyrit të djegur do të ngrihet një impiant diellor me kapacitet prej 100 megavatësh, i cili mbështetet dhe financohet nga Gjermania dhe Bashkimi Evropian. Çfarë mund të simbolizojë më mirë fillimin e tranzicionit energjetik në Kosovë? Jam i bindur se Kosova është në rrugën e duhur me investimet në energji të ripërtëritshme. Vendi ka potencial të madh për fotovoltaik, ngrohje diellore dhe energji nga era. Këto burime energjie janë tashmë shpesh më të lira sesa zgjerimi i djegies së qymyrit – madje edhe pa përfshirë kostot e emetimit të karbonit. Prandaj, e inkurajoj Kosovën që ta ndjekë me guxim dhe vendosmëri rrugën larg qymyrit dhe drejt energjive të ripërtëritshme. Kjo është gjithashtu një pjesë thelbësore për afrimin e mëtejshëm me standardet e BE-së në fushën e energjisë dhe politikave klimatike.
Përveç kësaj, do të vizitoj projekte në fushën e menaxhimit të mbeturinave dhe trajtimit të ujërave. Sepse qytetet të jetueshme, të pastra dhe të shëndetshme do të mbeten një fushë qendrore e bashkëpunimit tonë.
Telegrafi: Në cilat fusha pritet të fokusohet mbështetja gjermane në të ardhmen – energji, bujqësi apo inovacion?
Saathoff: Prioritetet e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona janë të dakorduara në mënyrë të qëndrueshme. Ato janë – edhe një herë – zhvillimi i ekonomisë së Kosovës, mbrojtja e klimës, furnizimi i qëndrueshëm me energji, zhvillimi urban dhe modernizimi i administratës. Projektet brenda këtyre fushave diskutohen çdo dy vjet në kuadër të negociatave qeveritare të përbashkëta. Në këtë kuadër, Gjermania zakonisht jep zotime për projekte të reja ose për vazhdimin e projekteve të suksesshme që janë në zbatim. Qëllimet tona të përbashkëta më të larta janë integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekologjik, social dhe ekonomik i vendit. Në arritjen e këtyre qëllimeve, do të vazhdojmë ta mbështesim Kosovën përmes bashkëpunimit tonë për zhvillim.
Telegrafi: Si ndihmon ky bashkëpunim në krijimin e vendeve të punës dhe në zhvillimin ekonomik afatgjatë të Kosovës?
Saathoff: Përmes bashkëpunimit tonë në fushën e arsimit profesional, siç u përmend më lart, cilësia e formimit në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm – veçanërisht në sistemin dual të arsimit profesional, i cili përfshin bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet ndërmarrjeve dhe shkollave profesionale publike e private. Brenda këtij sistemi dual, mbi 1.400 nxënës në dymbëdhjetë profile pilot përfitojnë nga një formim praktik dhe i orientuar drejt tregut të punës në ndërmarrje, gjë që rrit ndjeshëm mundësitë për punësim të kualifikuar në Kosovë.
Hartimi i ligjit për promovimin e punësimit, ligjit për arsimin profesional, strategjisë së punësimit dhe planit të veprimit përkatës, si dhe ristrukturimi i Agjencisë së Punësimit dhe zhvillimi i programeve të certifikuara për trajnim të këshilltarëve profesionalë (sipas modelit gjerman), e përforcojnë këtë progres për vitet në vijim.
Parku i Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren ka krijuar deri më tani rreth 430 vende pune direkte në ndërmarrjet e vendosura në park – në fushat e teknologjisë së informacionit (ICT), industrisë kreative, teknologjisë mjedisore dhe shëndetësisë. Parashikohet që kjo shifër të rritet ndjeshëm, duke arritur në 550 deri 600 të punësuar deri në fund të vitit 2026. Ofertat e trajnimit në fushat ICT, industri kreative dhe mbështetje për start-up-e kanë përfshirë qindra pjesëmarrës gjatë tre viteve të fundit.
Së bashku me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, Gjermania mbështet edhe Fondin Kosovar për Garanci Kreditore (KCGF). Ky fond është një histori e vërtetë suksesi. Që nga themelimi në vitin 2016, janë dhënë mbi 19.000 kredi për ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Shumë prej tyre kanë marrë për herë të parë një kredi përmes këtij fondi. Këto kredi kanë ndihmuar në krijimin e mbi 30.000 vendeve të reja të punës. KCGF ka tashmë dritare të veçanta për ndërmarrjet e udhëhequra nga gratë, për investimet e diasporës dhe për start-up-et.
Edhe përmes angazhimit tonë në fushën e integrimit në BE, ne e mbështesim zhvillimin ekonomik – edhe pse në mënyrë indirekte. Kombinimi i digjitalizimit dhe uljes së burokracisë forcon shoqërinë e re dhe digjitalisht të aftë të Kosovës – me mbi 95% qasje në internet – dhe krijon mundësi të reja për rritje dhe punësim. Gjermania e mbështet këtë transformim në mënyrë të synuar, për shembull përmes sistemeve inspektuese të standardizuara sipas BE-së, procedurave transparente dhe masave kundër evazionit fiskal dhe korrupsionit. Të gjitha këto përmirësojnë mjedisin e biznesit dhe e bëjnë Kosovën gjithnjë e më tërheqëse për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Telegrafi: Çfarë mund të pritet në të ardhmen nga bashkëpunimi ekonomik Kosovë–Gjermani, duke pasur parasysh edhe rolin e madh të diasporës kosovare?
Saathoff: Pjesë e programit tim të vizitës është, natyrisht, edhe tema e diasporës. Vendet tona janë të lidhura në një mënyrë të veçantë përmes saj. Diaspora kosovare në Gjermani përbëhet nga mbi gjysmë milioni njerëz – një lidhje e fuqishme dhe e qëndrueshme mes dy shoqërive tona. Prandaj, jam veçanërisht i interesuar të bisedoj me përfaqësues të institucioneve, sektorit privat dhe shoqërisë civile, por edhe me sipërmarrës që janë kthyer në Kosovë. Migrimi dhe diaspora luajnë një rol të rëndësishëm edhe në bashkëpunimin tonë për zhvillim me Kosovën. Dua të krijoj një pasqyrë më të qartë për rolin që diaspora luan aktualisht në zhvillimin e Kosovës dhe për potencialin që ajo ka për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. /Telegrafi/