Më 28 gusht 1995, një predhë e shkrepur nga pozicionet e Ushtrisë së Republika Sërpska goditi tregun Markale në Sarajevë, duke vrarë 43 civilë dhe plagosur së paku 70 të tjerë. Ishte sulmi i dytë mbi Markale, pas atij të 5 shkurtit 1994, ku ishin vrarë 68 persona. (sipas ICTY).
Në krye të Ushtrisë së Republika Sërpska ishte Ratko Mladic, i dënuar përfundimisht me burgim të përjetshëm, ndër të tjera, edhe për fushatën e terrorit ndaj popullsisë civile të Sarajevës.
Më pak se katër vite më vonë, e njëjta mendësi kriminale goditi civilët edhe në Kosovë.
Më 13 mars 1999, në një ditë tregu, pothuajse në të njëjtën kohë, civilët u goditën në Mitrovicë dhe Podujevë.
Në Mitrovicë, nga hedhja e granatave nga forcat serbe në tregun e qytetit, u vranë shtatë civilë dhe u plagosën rëndë më shumë se 100 të tjerë, në mesin e tyre fëmijë, gra, të moshuar dhe të rinj.
Jetën e humbën: Abaz Mecinaj, Ahmet Strana, Elizabeta Hasani, Ragip Bajrami, Rrahim Peci, Sevdije Selani, Valdete Strana.
Historia e Ahmet Stranës mbart edhe një dimension tjetër të kësaj tragjedie. Ai u plagos rëndë gjatë sulmit dhe u dërgua në Spitalin e Mitrovicës. Një muaj e dhjetë ditë më vonë ndërroi jetë nga plagët e marra.
Por për familjen e tij, dhimbja nuk përfundoi me vdekjen. Trupi i Ahmet Stranës mungoi për 23 vite. Familja jetoi për më shumë se dy dekada pa e ditur vendndodhjen e mbetjeve të tij mortore dhe pa pasur mundësinë ta varroste me dinjitet.
Pas 23 vitesh, mbetjet mortore të Ahmet Stranës, së bashku me mbetjet mortore të mikut të tij, Vehbi Zasella, u gjetën në varrezat në veri të Mitrovicës, një nga mijëra lokacionet që forcat serbe kanë përdorur për të fshehur gjurmët e krimit. Më 2 shtator 2022, Ahmet Strana u rivarros në Mitrovicë, duke iu kthyer më në fund familjes pas 23 vitesh pritjeje.
Më 13 mars 1999, edhe në Podujevë, në një ditë tregu, ndodhën dy shpërthime (njëri pranë tregut të pemëve dhe perimeve dhe tjetri në qendër të qytetit, pranë ndërtesës së postës). U vranë Sadik Zhegrova, Nexhat Miftari, Besnik Shabani, Sahit Azemi, Arif Gashi dhe u plagosën shumë të tjerë.
Besnik Shabani u qëllua për vdekje nga snajperët serbë teksa po përpiqej t’u ndihmonte të plagosurve, ndërsa Sahit Azemi dhe Arif Gashi ndërruan jetë më pas në Spitalin e Prishtinës nga plagët e marra.
Nga Markale në Sarajevë, te tregjet e Mitrovicës dhe Podujevës, vetëm pak vite distancë, por i njëjti realitet tragjik, i njëjti krim gjenocidial, duke goditur civilë në vende të jetës së përditshme.
Sot, ndërsa kujtojmë viktimat e Markales dhe krimet për të cilat drejtësia ndërkombëtare e dënoi Ratko Mladicin me burgim të përjetshëm, kujtojmë edhe viktimat në Kosovë dhe familjet që, si familja Strana, përveç humbjes e dhimbjes, u përballën për vite të tëra edhe me ankthin e mungesës së informacionit, se ku ndodheshin më të dashurit e tyre.
31 vjet më vonë, ndërsa kujtohen viktimat e Markales, Serbia ka vendosur ta përcjellë me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake Ratko Mladicin, të dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Një vendim i tillë është fyerje , është krim ndaj viktimave dhe familjeve të tyre, por njëkohësisht edhe një dëshmi shqetësuese se glorifikimi në Serbi i të dënuarve për krime lufte vazhdon edhe sot.
Viktimat meritojnë kujtesë dhe nderim.
Krimet nuk guxojnë të mohohen apo glorifikohen.
Përjetësisht nderim për viktimat e Markales, Mitrovicës dhe Podujevës.