Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka filluar implementimin e shenjëzimeve të reja brenda hapësirave të saj, me qëllim përmirësimin e qasjes dhe lëvizjes për pacientët, vizitorët dhe qytetarët.
QKUK-ja bën të ditur se ky projekt përfshin vendosjen e shenjave të reja rrugore dhe kalimeve për këmbësorë, të dizajnuara për të lehtësuar orientimin dhe për të shmangur konfuzionin në kompleksin spitalor, njofton Dukagjini.
Në këtë kontekst, QKUK-ja u ka bërë thirrje për mirëkuptim nga ana e qytetarëve dhe stafit, në rast të ndonjë pengese të përkohshme që mund të shkaktohet gjatë kryerjes së punimeve.
Institucioni thekson se ndërhyrjet synojnë përmirësimin e rendit dhe sigurisë në ambientet spitalore, duke kontribuar në një qarkullim më të lehtë dhe të sigurt për të gjithë përdoruesit e këtij kompleksi.