Katër fshatra të bashkisë Gramsh – Kullollas, Bletëz, Menkollar dhe Shimër – janë kapluar nga flakët dhe tymit të dendur, me zjarrin që ka arritur disa metra lartësi.
Top Channel raporton se banesa dhe prona janë djegur, ndërsa Ministria e Mbrojtjes u ka bërë thirrje urgjente banorëve të largohen menjëherë dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuim të sigurt.
Në fshatin Kullollas ka humbur jetën një 80-vjeçar, pasi dyshohet se zjarri që kishte ndezur në kopshtin e banesës i doli jashtë kontrollit dhe e asfiksoi. Flakët janë përhapur në një sipërfaqe të gjerë.
Gjithashtu, është djegur teqeja e Shemberdhenjes, ndërsa nuk dihet ende fati i një personi të bllokuar brenda saj.
Në fshatin Bulçar, një grua me dy fëmijë ka mbetur e bllokuar në fermë dhe po kërkon ndihmën e autoriteteve.
Ndërhyrja e zjarrfikësve dhe ambulancave është shumë e vështirë për shkak të terrenit të thyer dhe flakëve të mëdha, të cilat rrezikojnë jetën e ekipeve të shpëtimit.