Kanë kaluar 37 ditë që kur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dërgoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së propozimit për formimin e Komisionit për Votim të Fshehtë për Zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.
Sidoqoftë, ende nuk ka vendimmarrje lidhur me çështjen.
“Vendimi do të merret pasi që Gjykata të shqyrtojë të gjitha aspektet kushtetuese të çështjes së parashtruar në kërkesë dhe për vendimmarrjen e saj do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni” ka njoftuar Gjykata Kushtetuese.
“Asgjë deri tash”, tha deputetja Time Kadrijaj, teksa konfirmoi që ende nuk kanë marrë ndonjë njoftim.
Ditë më parë, zyra e presidentes Vjosa Osmani njoftoi kanë “përgatitur një draft të lëndës që do të mund të adresohej në Kushtetuese”, por se janë “në pritje të aktgjykimit lidhur me kërkesën e AAK-së”
Në këto rrethana vlerësohet se vendimmarrja finale, me udhëzime eventuale, nga Gjykata Kushtetuese mund të marrë muaj.
“Gjykata Kushtetuese ka hapësirën prej 60 ditësh ose dy muajsh të shqyrtoj dhe të trajtojë lëndën dhe që t’i jap përgjigje asaj kërkese… Por, jo domosdo duhet të vendosë pas dy muajsh mirëpo gjithherë brenda dy muajve, por ka pasur raste kur e ka kaluar këtë afat prej 60 ditësh duke pasur parasysh numrin e madh të lëndëve” Ka deklaruar Melos Kolshi nga IKD.
Në një skenar ideal, sipas Kolshit, konstituimi veçse do të ishte kryer, por referuar bllokadës ai shtoi do të duhej koordinim që të ketë një kërkesë – që mes tjerash të mos humbet kohë.
“Është dashur një konsultim mes partive politike dhe mes presidencës që kur t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese të mos jetë opsion nëse Gjykata Kushtetuese do ta rrëzojë kërkesën apo jo. Mirëpo që kur të dal aktgjykimi të dalë i pranuar fillimisht, e pastaj me një rrugë të skicuar se si zgjidhet ky ngërç” deklaroi Kolshi.
Të zgjedhurit e popullit janë mbledhur 33 herë dhe dështuan në po aq raste që të konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit, në vazhdimet e seancës që ka nisur më 15 Prill.