Një vepër që bashkon botët

Ky libër është shumë i çmuar për ne. Në detin e vogël të librave që shfletojmë dhe lexojmë çdo ditë, romani ,,Gryka e kohës” i Migjen Kelmendit (1959, Prishtinë) është një vepër që bashkon botët.

Një vepër që bashkon botët

Do të filloja me shënimin thelbësor, ndoshta të parashikueshëm, por edhe të pashmangshëm se, duke pasur parasysh vendin dhe kohën në të cilën jetojmë, ky libër është shumë i çmuar për ne. Në detin e vogël të librave që shfletojmë dhe lexojmë çdo ditë, romani ,,Gryka e kohës” i Migjen Kelmendit (1959, Prishtinë) është një vepër që bashkon botët. Përkthimi dhe botimi i këtij libri në vendin tonë është një akt autentik iluminizmi – pasi e lexova këtë libër, ndihem jo vetëm më i pasur, por edhe më afër vetes sime.

Është e udhës ta përmendim në fillim priftin Don Gjergj, një personazh i romanit, ndërmarrja jetësore e të cilit është përpilimi i një fjalori voluminoz enciklopedik. Konkretisht, Don Gjergji ka ,,ambicie të shpikë një pasqyrë sa më të saktë dhe neutrale, duke e ndërtuar atë […] mbi referencat e antropologëve, etnografëve, etnopsikologëve, gjeografëve, historianëve, diplomatëve, politikanëve, gazetarëve, udhëtarëve, poetëve, luftëtarëve, shkrimtarëve dhe vagabondëve”. Kjo vlen të përmendet, sepse përshkrimi i veprës së Don Gjergjit mund të shihet edhe si një përmbledhje e gjithë ,,Grykës së kohës”, për faktin se ,,pasqyra” e shkrimtarit Migjen Kelmendi krijohet krah për krah me kujtesën personale, familjare, madje edhe kolektive dhe i referohet një harku kohor të saktë: nga fillimi i viteve njëzet e deri në fund të viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar.

Filli kryesor i rrëfimit ndjek jetën e Arifit, gjyshit të rrëfimtarit. Arifi është një malësor nga malësia e Rugovës së Bjeshkëve të Nemuna, jo larg Pejës, te kufijtë mes Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kosovës. Ne e ndjekim Arifin që nga rinia e deri në vdekjen e tij spektakolare në mënyrë të vet. Megjithatë, paralelisht me historinë e Arifit shpalosen dhjetëra histori të tjera, kështu që në fund lexuesi ka përshtypjen se Arifi, ashtu si edhe Menduh Ali-beu, ashtu si edhe bibliofili Don Gjergj, ashtu si edhe Mejremja dhe Shukri-beu, nuk janë asgjë më shumë se statistë, ndërsa roli kryesor i takon Historisë, turbulente dhe të paqëndrueshme, e cila me ndihmën e gjithë atyre ushtrive ,,çlirimtare” kalon nëpër Çarshinë e Gjatë të Pejës, vendin ku zhvillohet pjesa më e madhe e ngjarjes së rrëfyer. Koha, ndërkaq, në hap me Historinë, në fillim ecën ngadalë, pastaj tepër shpejt, në fillim ,,derdhet në qiell”, kurse pastaj rrjedh tatëpjetë, nga Rugova drejt Pejës. Koha është mallëngjimi që e ngjyros tërë romanin, kurse pafuqia e personazheve kundrejt mosmëshirës së kohës shpesh është paraqitur me një ironi dhe sarkazëm të hollë, të ngrohtë.

Falë kapitullit të parë, romani ka një ndërtim ciklik, kurse rrëfimi bëhet polifonik për shkak të kapitujve epistolarë të pjesës së tretë, e cila, meqë ra fjala, mund të ekzistojë edhe si një tregim i gjatë më vete. Në libër pothuajse nuk ka ligjëratë të drejtë dhe dialog, por kjo as që vërehet për shkak të dinamikës së rrëfimit dhe morisë së stileve që derdhen në njëri-tjetrin: nga ai narativ në dokumentar, pastaj letraro-eseistik, herë-herë edhe lirik. Libri është i ndarë në pesë pjesë që përbëhen nga kapituj të shkurtër, të cilët edhe vetë paraqesin tërësi të përmbyllura dhe shpesh mund të lexohen edhe si tregime të mëvetësishme.

Një nga veçoritë kryesore të këtij libri është dendësia e tij, e pranishme në shumë aspekte. Romani është përplot imazhe (në dukje të vendosura rastësisht aty) që janë krejt simbolikë dhe ngarkesë metaforike. Por, para së gjithash, ,,dendësia” vjen nga peizazhi historik i kapur me përpikëri, me të gjitha lidhjet shoqërore-politike-ekonomike: nga Peja, nëpër Prishtinë, Tiranë, Shkup, Manastir dhe Ohër, deri në Selanik, Napoli, e më tej drejt Egjiptit, Francës, Anglisë dhe Amerikës. E gjithë ngjarja e rrëfyer kushtëzohet nga ndikimi i ideologjive botërore dhe shpirtërore dhe, një hapësirë e veçantë u jepet personazheve konkrete ,,të ngarkuara me idealizëm dhe mision”. Në një kontekst të ngjashëm përshkruhet me maturi dhe pa e romantizuar bashkëjetesa e popullatës shqiptare dhe serbe në Kosovë, që ka mjaft konflikte, por edhe miqësi të thella. (Më mbresëlënës është një nga kapitujt e fundit të romanit, ku, si një lloj betimi, përshkruhet ngrohtësisht miqësia mes profesor Dančetović nga Katedra e Albanologjisë në Beograd dhe studentëve të tij.)

,,Dendësia” e romanit bie në sy edhe nga tri këndvështrime të tjera. Para së gjithash, është enciklopedizmi: ky është një libër erudit që përmban emra dhe tituj kyç të letërsisë dhe të kulturës shqiptare por edhe të asaj botërore, duke u bërë kështu një pikë referimi për leximet e ardhshme. Në fakt, ky është një libër që feston madhështinë e librit, madje jo vetëm sepse ,,librat u bëjnë dobi librave”, siç shkruan Don Gjergji në një vend, por edhe sepse librat mund të shpëtojnë njerëz, por edhe komunitete të tëra, siç është historia e Evgjitëve, të cilët thuajse u internuan në një kamp përqendrimi, para se të shpëtoheshin nga një libër. Më pas, ,,dendësia” bie në sy në episodet në të cilat rrëfimi shkëputet papritur nga toka e ngurtë e dokumentarit dhe ngjitet në ajër përmes skenave mahnitëse të paraqitura në frymën e realizmit magjik, përmes numërimeve me shpejtësi marramendëse të elementeve: një herë këtu janë te gjitha adresat e Pejës, ku i drejton letrat Sofia e bukur, pastaj i kemi shkëmbimet fantastike që ndodhin në qytet pasi italianët vendosin shkëmbimin/trampën si formën bazë të tregtisë dhe në fund vjen edhe gjithçka që “fluturon”, kur loja e fëmijëve ndërthuret me mjeshtëri me sulmet e avionëve aleatë në fund të Luftës së Dytë Botërore. Në fund, e gjithëpranishme është edhe dendësia e dimensionit emocional me të cilin rëndohen (pa patos) shumica e personazheve, shpesh të kapur nga ndonjë pasion i pakapërcyeshëm, ndonjëherë edhe i paqartë edhe për ta.

Ky roman, i botuar për herë të parë gati tridhjetë vjet më parë, kurse i redaktuar, i zgjeruar dhe i ribotuar së fundmi, është një roman bashkëkohor në të paktën dy mënyra. Aktualiteti i tij garantohet së pari nga portretizimi i kujdesshëm i individëve/personazheve të tipit të Mejremes, të Ferihasë dhe të udhëtares angleze Edith Durham, dhe nga pozicionimi i tyre në një mënyrë që kushtëzon dhe dikton në masë të madhe dinamikën e fuqisë në tregime. Me këtë, ky libër mund të shihet edhe si një tekst feminist, i denjë për valën e tretë të feminizmit të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar kur është krijuar ky roman. Nga ana tjetër, libri impresionon me vëmendjen që i kushtohet temës së atipikes, pra portretizimit të butë të personazheve Riza dhe Feriha, të cilët, të lindur me gunga, përpiqen të gjejnë vendin e tyre nën qiell. Rizai, në njërën nga letrat e tij drejtuar Ferihasë, e inkurajon atë të vlerësojë veçantinë e saj në një botë të dominuar nga normat, të jetë e vetëdijshme për të drejtën e saj për dukshmëri. Këtu është interesante se si njëra nga letrat e vëllait hyn në një dialog të përkryer me veprën ,,Claiming Disabillity” të Simi Linton, autore, kineaste dhe aktiviste amerikane. Vepra e Lintonit citohet gjithashtu në botimin e shtëpisë botuese Templus „Попреченост” (2021)…

Mund të hapeshin edhe shumë tema të tjera që trajton ky libër i pasur, me plot shtresa, por për fund do të ndaloja vetëm te nëntitullit dhe te titulli i tij. Dhe këto janë në harmoni, sepse nëntitulli ka të bëjë me shallin e bardhë fatal të mbajtur nga rugovasit i cili errësohet kur mbahet jashtë Rugovës, kurse si një ,,relikt i vdekjes” shtrihet në gjithë romanin duke simbolizuar autoritetin e tij. Por, akoma më mbresëlënës është titulli i librit, me qenë se paraqitet si çelës i përsosur i një thënieje të narratorit në fund të romanit. Konkretisht, në kapitullin e parafundit të rrëfimit,  lind nipi i Arifit, d.m.th. vetë rrëfimtari / narratori. Për nipin, narratori thotë se ai është një djalë që do ta kalojë jetën “në përpjekje për të mësuar dhe për të gjetur emrin e tij, të cilin ia hidhnin diku nëpër një kohë të humbur, kohë të humbur, të cilën përpiqej ta gjente një komb i tërë”. Pra ekziston një ,,kohë e humbur” në jetën e narratorit (vetë autorit?) dhe më pas ekziston edhe ky roman, i titulluar ,,Gryka e kohës”. Me këtë, narratori shkrihet me autorin, i cili në një mënyrë elegante, delikate sikur na bën të ditur se pikërisht akti i të shkruarit të kësaj historie ka qenë kërkimi i tij i kohës së humbur, ndërsa akti i botimit të veprës është hyrja në kohën e gjetur.  Dhe kjo është një lëvizje magjepsëse, një mbyllje e shkëlqyer për një roman tashmë shkëlqyes. Në fund të fundit, ky lloj leximi na jep të drejtën ta shohim veprën si një nismë të autorit në jetë, si lindjen e tij ,,të vërtetë”, kurse botimin e romanit në maqedonisht ,,lindjen e tij të re” ose rilindjen e tij në një kohë të re, në një shtëpi të re.

(𝑍̌.𝐺𝑟𝑜𝑧𝑑𝑎𝑛𝑜𝑠𝑘𝑖 𝑒̈𝑠ℎ𝑡𝑒̈ 𝑠ℎ𝑘𝑟𝑖𝑚𝑡𝑎𝑟 𝑑ℎ𝑒 𝑝𝑒̈𝑟𝑘𝑡ℎ𝑦𝑒𝑠 𝑙𝑒𝑡𝑟𝑎𝑟. 𝐽𝑒𝑡𝑜𝑛 𝑑ℎ𝑒 𝑣𝑒𝑝𝑟𝑜𝑛 𝑛𝑒̈ 𝑆ℎ𝑘𝑢𝑝)

Libri, “Gryka e Kohës”, përkthyer në maqedonisht

Të fundit nga rubrika