Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar se njësia A3 e Termocentralit Kosova A ka dalë papritur jashtë funksionit rreth orës 00:30 të së enjtes.
Sipas njoftimit, shkak i kësaj ndërprerjeje ishte një luhatje në sistemin elektrik, e cila aktivizoi sistemin mbrojtës të gjeneratorit dhe bëri që njësia të ndalet automatikisht.
Gjithashtu, më 17 qershor u konstatua një humbje uji në kaldajën e njësisë A5.
Pas monitorimit nga ekipet teknike, kjo njësie vazhdoi të punojë deri në orën 00:02 të 18 qershorit, kur u ndalua me qëllim që të parandalohej ndonjë defekt më i madh.
Njësia A4 e Termocentralit Kosova A është jashtë funksionit që nga 16 maji, për shkak të punimeve të remontit.
KEK-u ka bërë të ditur se po punon intensivisht për të zgjidhur këto probleme dhe synon të sigurojë stabilitetin e sistemit energjetik dhe besueshmërinë ndaj publikut.