
NLB Banka, në partneritet me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian, ka siguruar një paketë financimi prej 20 milionë eurosh për të mbështetur bizneset e vogla dhe të mesme (NVM) në Kosovë në rrugëtimin e tyre drejt digjitalizimit, automatizimit dhe qëndrueshmërisë mjedisore.
Ky financim përbëhet nga dy komponentë kryesorë:
- 15 milionë euro për kreditim të NVM-ve, me fokus në investime të gjelbra si energjia e ripërtërishme, efikasiteti energjetik dhe projekte që përputhen me qasjen e BERZH-it për Tranzicionin e Ekonomisë së Gjelbër (GET).
- 5 milionë euro në kuadër të Programit “Go Digital”, për të mbështetur digjitalizimin dhe automatizimin e proceseve të biznesit, si dhe përdorimin e teknologjive të gjelbra.

Bizneset përfitojnë jo vetëm nga kreditimi, por edhe nga stimuj në formë të granteve deri në 10% të shumës së kredive, si dhe nga asistenca teknike e kanalizuar përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF). Një fokus i veçantë i programit është mbështetja për gratë sipërmarrëse, duke promovuar qasje të barabartë në financim dhe rritje të konkurrueshmërisë.
“Ky partneritet me BERZH-in shënon një tjetër moment historik në përkushtimin tonë për avancimin e rritjes ekonomike dhe reziliencës së Kosovës. Përmes kësaj pakete financimi, ne i fuqizojmë bizneset lokale që të përqafojnë inovacionin, transformimin digjital dhe qëndrueshmërinë.” tha Gem Maloku, Kryetar i Bordit Udhëheqës në NLB Banka.
Sergiy Maslichenko, Udhëheqësi i BERZH-it për Kosovën, u shpreh se: “Bizneset e vogla janë shtylla e ekonomisë së Kosovës, dhe mbështetja e rritjes, konkurrueshmërisë dhe digjitalizimit të tyre është thelbi i misionit tonë. Kjo paketë financimi me NLB Banka do t’u ndihmojë bizneseve lokale të investojnë për inovacion, qëndrueshmëri dhe teknologji të gjelbra, duke siguruar gjithashtu që ndërmarrjet e udhëhequra nga gratë të kenë qasje më të madhe në financim”.
Si pjesë e NLB Group, me prezencë në mbarë Ballkanin Perëndimor, NLB Banka mbetet e përkushtuar në mbështetjen e ndërmarrjeve vendore përmes zgjidhjeve financiare që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, digjitalizimin dhe tranzicionin e gjelbër të Kosovës.



