Oda Ekonomike e Kosovës njofton se Gjykata Komerciale ka anuluar në tërësi njoftimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për kalimin e detyrueshëm të bizneseve me mbi 50 punëtorë ose më shumë se 10 milionë euro qarkullim në vit në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Oda Ekonomike Amerikane ka përsëritur thirrjen për shfuqizimin e menjëhershëm të vendimit të ZRRE-së.
Oda Amerikane thekson se Gjykata Komerciale jo vetëm që ka pezulluar njoftimin e ZRRE-së deri në një vendim të ri, por ka nënvizuar edhe mangësitë serioze në veprimet e ndërmarra nga rregullatori.
Sipas saj, kjo mbështet qëndrimin e komunitetit të biznesit për nevojën urgjente të respektimit të sigurisë juridike dhe përfshirjes së të gjitha palëve të interesuara në vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë e vendit.
“Pasiguria e krijuar nga ky proces ka cenuar thellësisht operimin e bizneseve, duke ndikuar në planifikimin e tyre strategjik dhe duke minuar besimin në sistemin rregullativ”, thuhet në deklaratën e Odës Amerikane.
Ajo kërkon rifillimin e menjëhershëm të dialogut të strukturuar mes Qeverisë, ZRRE-së dhe komunitetit të biznesit, për të garantuar që çdo reformë të jetë në përputhje me ligjin, praktikat më të mira ndërkombëtare dhe nevojat reale të tregut.