Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka paralajmëruar për një rritje të ndjeshme të rrezikut për shpërthimin e një Lufte të Tretë Botërore, duke u bërë thirrje vendeve të botës që të ndërmarrin çdo masë të mundshme për ta parandaluar këtë skenar.
“Ndoshta pyetja më e rëndësishme sot është: a do të ketë një luftë të tretë botërore? Përgjigjja, fatkeqësisht, është se gjasat janë në rritje të vazhdueshme,” deklaroi Orban gjatë një fjalimi të transmetuar në televizionin shtetëror hungarez M1.
Si dëshmi për këtë shqetësim global, ai përmendi rezultatet e sondazheve të fundit në gjashtë vende të mëdha, ku një përqindje e konsiderueshme e qytetarëve besojnë se brenda dekadës së ardhshme mund të shpërthejë një konflikt botëror. Sipas tij, 55% e francezëve, 50% e spanjollëve, 46% e italianëve, 45% e amerikanëve, si dhe 41% e britanikëve dhe gjermanëve e shohin të mundur një luftë globale në 5 deri në 10 vitet e ardhshme.
“E gjithë bota e ndjen erën e ftohtë të luftës,” theksoi Orban, duke shtuar se është detyrë e përbashkët e bashkësisë ndërkombëtare të veprojë me mençuri dhe vendosmëri për të shmangur një përplasje katastrofike.