Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se avancimi i Projektligjit për vlerësimin e diskriminimit në Luginë të Preshevës dërgon një mesazh të qartë se, sipas saj, “diskriminimi ndaj komunitetit shqiptar në Serbi më nuk është i padukshëm dhe as nuk tolerohet”.
Përmes një postimi në platformën X, Osmani ka theksuar se Serbia ka kryer vazhdimisht shkelje autoritare të të drejtave të pakicave, duke përfshirë fushatën e pasivizimit të qëllimshëm të adresave, shtypjen e gjuhës shqipe, përjashtimin nga institucionet publike, diskriminimin në arsim, margjinalizimin ekonomik dhe frikësimin nga autoritetet qendrore.
Projektligji është votuar më 21 janar nga anëtarët e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresi i SHBA-së, dhe i kërkon sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, që të përgatisë një raport gjithëpërfshirës për trajtimin e pakicave etnike në Serbi, me theks të veçantë te shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Osmani ka falënderuar kongresistin Keith Self, i cili ka sponsorizuar projektligjin, kryetarin e Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Brian Mast, si dhe anëtarët e tjerë që mbështetën avancimin e tij me konsensus dypartiak.
Pas shqyrtimit të plotë në Komitet, projektligji do t’i dërgohet për votim Dhomës së Përfaqësuesve, më pas Senatit, dhe në fund kërkon nënshkrimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’u shndërruar në ligj.
Projektligji synon vlerësimin e çështjeve kyçe si pasivizimi i adresave të shqiptarëve, kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike, diskriminimi në arsim – përfshirë mosnjohjen e diplomave të Kosovës – dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Ndërsa çështja e diplomave është rregulluar përmes marrëveshjeve në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi në Bruksel dhe Procesit të Berlinit, pasivizimi mbetet një problem serioz, për të cilin shqiptarët në Luginë kanë protestuar vazhdimisht.
Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve nga adresat e regjistruara, çka sjell humbjen e shtetësisë serbe dhe, rrjedhimisht, të drejtave themelore civile, përfshirë të drejtën e votës, pronës, sigurimit shëndetësor, pensionit dhe punësimit.
The advancement of the Presheva Valley Discrimination Assessment Act in the U.S. House Foreign Affairs Committee sends a clear message: systematic discrimination against the Albanian community in Serbia is no longer invisible or tolerated.
Serbia has continuously carried out… pic.twitter.com/7nlmmIsdSr
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) January 26, 2026