Osmani falënderon Ursula von der Leyen: Llogarisim në lidershipin tuaj përderisa ndërmarrim hapa të guximshëm

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka falënderuar atë për mesazhet inkurajuese dhe mbështetëse, si dhe ka shtuar se Kosova do të llogarisë në lidershipin e Komisionit Evropian gjatë ndërmarrjes së hapave të guximshëm

    Ursula von der Leyen dhe Vjosa Osmani, 27 tetor 2022, Prishtinë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit të zhvilluar me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka falënderuar këtë të fundit për mesazhet inkurajuese e mbështetëse për Republikën e Kosovës.

    “Llogarisim në lidershipin tuaj përderisa ndërmarrim hapa të guximshëm drejt sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së vlerave evropiane”, ka shkruar Osmani.

    Tutje, Osmani ka treguar se Bashkimi Evropian ka ndarë 75 milionë euro ndihmë buxhetore për përballje me krizën energjetike, si dhe 500 milionë euro për rajonin që edhe Kosova  mund të përfitojë me projekte konkrete në fushën e energjisë.

    “75 milionë euro ndihmë e menjëhershme buxhetore për Kosovën në përballimin e krizës energjetike. 500 milionë euro për rajonin ku Kosova mund të përfitojë me projekte konkrete në fushën e energjisë”, ka shkruar Osmani.

    Ndërkaq, shefja e Komisionit Evropian, Von der Leyen, në konferencën e mbajtur sot ka thënë se Evropa nuk është e plotë pa Kosovën. Ajo ka rikonfirmuar edhe një herë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

    Von der Leyen ka thënë se tashmë ka mbetur që të bindet edhe Këshilli Evropian në lidhje me liberalizimin e vizave.