Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se Kuvendi nuk duhet të bllokohet për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari dhe ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të mos lejojë që një parti apo komunitet të ketë të drejtën e vetos mbi proceset jetike të shtetit.
Në konferencë për media, Osmani tha se komentet e dorëzuara në Kushtetuese lidhen me meritën e rastit dhe se masa e përkohshme nuk paragjykon vendimin final.
“Ne po kërkojmë që të mos bllokohet Kuvendi për një ulëse të nënkryetarit… jam e bindur se të gjitha partitë e kanë këtë qëllim, që të mbrohet Republika nga abuzimi”, tha ajo.
Presidentja gjithashtu shtoi se çdo tentativë për të dhënë një veto një partie që përfaqëson një komunitet do të zhvleftësonte Kushtetutën.
“…Ne kemi kërkuar nga Kushtetuesja që të mos lejojë që kushdo të ketë të drejtën e vetos mbi proceset jetike të shtetit. Veto mbi Republikën nuk ka qenë asnjëherë qëllim i hartuesve e themeluesve të Kushtetutës. Duke ia dhënë një veto të tillë një partie, Republika do të zhvleftësohej në një copë letre në vend se të ishte në veprim të mbrojtjes së interesit të qytetarëve. Është në duart e Gjykatës ta mbrojë shtetin”.
Osmani foli edhe për gjyqtarin serb të Kushtetueses, Radomir Laban, duke thënë se për disa vite i ka dërguar prova në Kushtetuese dhe se të gjitha organet e rendit kanë qenë të informuara.
Sipas saj, mbetet shqetësim që ai gjyqtar është pjesë e institucioneve.
Komentet e Presidentes Osmani dërguar Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr. KO 265/25
Osmani: Po synohet që për një nënkryetar të bllokohet shteti në tërësi