Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas kërkesës së ZPS-së që katër ish-eprorët e UÇK-së të dënohen me nga 45 vjet secili.
Në reagimin e saj në Facebook, Osmani ka theksuar se gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit janë kryer nga Serbia ndaj popullit të Kosovës dhe se çdo përpjekje që tenton ta barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë.
“Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri”, ka shkruar Osmani.