Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në mbështetje të kompetencave të saj kushtetuese, ka nënshkruar sot Dekretin, me të cilin mandaton Albin Kurtin për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Zyra e Presidentës njofton se ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend nga rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura me 9 shkurt të këtij viti, njofton Dukagjini.
Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e Qeverisë, Kurti, është i obliguar që jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim.
Osmani i ka uruar suksese Kurtit, kryeministër në detyrë, me shpresën që Republika e Kosovës sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues.