Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Epopeja e UÇK-së është akt themelues i shtetit të Kosovës dhe simbol i qëndresës së popullit për liri.
Në seancën solemne të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, në shënim të 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Osmani tha se familja Jashari u bë simbol i qëndresës dhe sakrificës për lirinë e vendit.
Sipas saj, tri ditët e Epopesë përbëjnë histori të shkruar me qëndresë, ndërsa sakrifica e 58 anëtarëve të familjes Jashari u bë dritë për një popull të tërë.
“Familja Jashari u bë kala, ndërsa kullat e tyre u bënë flamur u përhershëm i lirisë sonë. Sot kur kujtojmë 5, 6 dhe 7 marsin kujtojmë momentin kur Kosova vendosi të mos jetojë e gjunjëzuar prandaj tri ditët e Epopesë janë histori e shkruar me qëndresë para së cilës përkulemi sot e do të vazhdojmë të përkulemi përgjithmonë”, deklaroi ajo.
Presidentja theksoi se krisma e armëve në ato ditë nuk ishte vetëm zhurmë baruti, por një thirrje për liri që zgjoi Drenicën, Kosovën dhe mbarë kombin, duke zgjuar edhe ndërgjegjen e botës.
“58 shpirtra u bën dritë për një popull, në ato ditë krisma e armëve nuk ishte vetëm zhurmë baruti por thirrje për liri, ky ishte kushtrimi që zgjoi Drenicën, Kosovën mbarë kombin por po ashtu zgjoi ndërgjegjen e gjithë botës. Epopeja e Marsit nuk është vetëm kujtesë emocionale është akt themelues i Republikës sonë dhe moment kur pushka e qëndresës u bë zë politik i një kombi që kërkonte vendin e vetë në botë si komb i lirë”, ka thënë Osmani.
Ajo shtoi se nga Prekaz nisi “orteku i lirisë” që u përhap në çdo fshat dhe qytet të Kosovës, duke u shndërruar në një frymë rezistence që çoi drejt lirisë.
Në fund, Osmani theksoi se amaneti i Epopesë së UÇK-së është forcimi i shtetit të Kosovës dhe ndërtimi i një të ardhmeje të drejtë e vizionare për brezat që vijnë.
“Nga Prekazi nisi orteku i lirisë që nuk u ndalë më. Nisi një frymë që u përhap në çdo fshat e në çdo qytet. Nisi një betim se kjo tokë nuk do të nëpërkëmbej, Epopeja është epike sepse buroi nga populli, nga pragu i kullave në Prekaz e tillë ishte e gjithë UÇK-ja sepse pikërisht buroi nga populli dhe lufta që e bëri ishte jo vetëm e drejtë por edhe e domosdoshme dhe do ta mbrojmë për sa te jetë jeta. Ky është amaneti i Epopesë së UCK-së të vazhdojmë ta forcojmë shtetin, për të cilin ata dhanë jetën, shtetin ku memoria kombëtare shërben si një udhërrëfyes për një të ardhme të qartë të drejtë dhe vizionare”, ka deklaruar Osmani.