Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një interviste në programin e Fox News në SHBA, ka folur për rolin e administratës amerikane në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Ajo ka theksuar se Kosova ka përjetuar disa përshkallëzime vitet e fundit, përfshirë aktin terrorist nga Serbia në shtator 2023, por me mbështetjen e NATO-s dhe të SHBA-së janë parandaluar përshkallëzime të mëtejme.
“Pra, kemi pasur një numër shpërthimesh në dy vitet e fundit. Për shembull, në shtator 2023 pati një akt agresioni nga Serbia kundër Republikës së Kosovës. Ne arritëm ta pengonim atë me mbështetjen e aleatëve tanë të NATO-s. Megjithatë, ekziston një kërcënim i vazhdueshëm që vjen nga Serbia. Majin e kaluar, padyshim, pati një tjetër përpjekje për shpërthim, nëse mund ta quaj kështu. Dhe kjo administratë ka bërë një punë të mrekullueshme për të parandaluar që kjo të përshkallëzohet”, ka deklaruar ajo.
E pyetur se çfarë pret nga presidenti amerikan në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të martën, Osmani theksoi se pret një mesazh të fortë paqeje.
“Presidenti gjithmonë ka qenë një lider që flet me qartësi, forcë dhe vendosmëri. Sot, kur merr fjalën në Kombet e Bashkuara, presim një mesazh të fortë paqeje përmes forcës që ka dhënë në pjesën tonë të Evropës, sepse ky është i vetmi mesazh që autokratët dhe udhëheqësit e çmendur në të gjithë botën që duan të vrasin dhe, e dini, të shkaktojnë vuajtje. Dhe presidenti Trump ka qenë shumë i suksesshëm”, ka deklaruar Osmani.