Osmani: Pesë policë po mbahen peng në Serbi, u bëj thirrje ndërkombëtarëve të ndalin veprimet e tilla

"Përderisa po përballemi me sfida të sigurisë, mos të harrojmë se edhe në këtë momente pesë policë të Republikës sonë po mbahen peng nga një shtet shovenist, Serbia. Prandaj i bëj thirrje të gjtihë aleatëve tanë që të rrisin zërin dhe të rrisin përpjekjet që të ndalin mizoritë dhe veprimet e tilla shoveniste kundër qytetarëve tanë dhe Policisë sonë", ka thënë presidentja e vendit, Vjosa Osmani

Foto/EO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pesë policë të Kosovës “po mbahen peng” nga Serbia, shtet të cilin e cilësoi si “shovinist”.

Në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 59-të të kadetëve të Policisë së Kosovës, Osmani i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që të reagojë për këtë çështje.

“Përderisa po përballemi me sfida të sigurisë, mos të harrojmë se edhe në këtë momente pesë policë të Republikës sonë po mbahen peng nga një shtet shovenist, Serbia. Prandaj i bëj thirrje të gjithë aleatëve tanë që të rrisin zërin dhe të rrisin përpjekje që të ndalin mizoritë dhe veprimet e tilla shoviniste kundër qytetarëve tanë dhe Policisë sonë”, ka thënë Osmani.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës (MPB) tha të mërkurën vonë se një zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës dhe katër zyrtarë të tjerë policorë janë duke u mbajtur nga autoritetet serbe.

Ministria tha se zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës i nacionalitetit serb, Dejan Jankoviq, është duke u mbajtur “në ndalim nga mëngjesi i sotëm pa asnjë sqarim”.

Jankoviq – i cili vjen nga Komuna e Shtërpcës – u ndalua në pikën kufitare me Serbinë, Jarinjë, në veri të Kosovës, dhe u dërgua për intervistim në qytetin jugperëndimor të Serbisë, Rashkë.

“Duke e njohur këtë praktikë të përsëritshme të Serbisë ndaj qytetarëve dhe zyrtarëve policorë, i njëjti intervistohet nga akterë të ndryshëm shtetërorë të Serbisë”, tha ministria kosovare në një komunikatë.

Ajo tha se autoritetet serbe i kanë ndaluar “10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës (shqiptarë dhe serbë)”, por shtoi se pesë prej tyre janë liruar tashmë.

Sipas ministrisë, institucionet përkatëse janë në proces të sigurimit të informacioneve të sakta, për të sqaruar situatën e krijuar.

Tutje, Osmani ka uruar Gjeneratën e 59-të kadetëve policorë dhe me këtë rast u ka thënë se tani e tutje janë në mbrojtje të secilit qytetar të Republikës sonë pa dallim.

“Jam e lumtur që gjendem në këtë ceremoni të diplomimit të gjeneratës së 59-të të policëve të rinj. E cila është tejet e rëndësishme, jo vetëm për ta, por për të gjithë ne dhe në të njëjtën kohë shënon kurorëzimin e një pune të jashtëzakonshme dhe një numri të madh për t’u bërë gardianë të Republikës sonë. Teksa ju kadetë, sot bëni betimin solemn për të mbrojtur dhe shërbyer, ne kemi një ndjenjë të jashtëzakonshme krenarie dhe admirimi për secilin prej jush. Qindra kadetë në mesin e shumë prej të cilave vajza e gra, dhe shumë pjesëtarë të komuniteteve pakicë, prej sot veshin uniformën e Policisë së Republikës sonë. Ky diversitet, që përfshin të gjitha komunitetet e Republikës sonë, është vlerë e Policisë së Kosovës, e cila është e të gjithëve dhe për të gjithë. Nga sot, të gjithë ju jeni policë të Republikës së Kosovës, deri më tani keni demonstruar përkushtimin e palëkundur, disiplinën dhe punën e madhe për të mbështetur sigurinë, drejtësinë dhe integritetin. Tani e tutje jeni në mbrojtje të secilit qytetar të Republikës sonë, pa dallim. Në këtë punë dhe këtë mision të rëndësishëm le të jenë heronjtë e Kosovës, përfshirë Afrim Bunjakun, udhërrëfyesi i juaj i përhershëm, se si mbrohet shteti dhe si i dilet zot atdheut. Kushtetuta e Republikës së Kosovës është udhërrëfyese e juaja”, ka thënë Osmani.

 

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika