Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një letër zyrtare nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, përmes së cilës ai shpreh mirënjohjen e tij për përkushtimin, miqësinë dhe lidershipin e guximshëm të shfaqur nga Kosova në raport me Shtetet e Bashkuara.
Në këtë letër, presidenti Trump vlerëson lart vendimin e Kosovës për të pranuar shtetas nga vende të tjera, duke e cilësuar këtë hap si një dëshmi të qartë të gatishmërisë së Kosovës për të bashkëpunuar me SHBA-të dhe si një shenjë të forcës dhe dhembshurisë së popullit kosovar.
“Sot, Presidentja Osmani ka marrë një letër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, në të cilën ai e falënderon për përkushtimin dhe miqësinë ndaj Shteteve të Bashkuara, lidershipin e guximshëm dhe shpreh dëshirën për të thelluar bashkëpunimin në vitet që vijnë.
Në letër, Presidenti amerikan shkruan se vendimi për të pranuar shtetas nga shtete të tjera tregon gatishmërinë e fortë të Kosovës për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shtuar se lidershipi në këtë çështje tregon fuqinë dhe dhembshurinë e popullit të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë, të bazuar në respektin e ndërsjellë, vlera të përbashkëta demokratike dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe prosperuese. Përkushtimi juaj për forcimin e kësaj lidhjeje nuk ka kaluar pa u vërejtur, dhe jam i bindur se së bashku do të vazhdojmë të avancojmë qëllimet tona të përbashkëta,” ka theksuar Presidenti Trump në letrën e tij.
Duke e falënderuar Presidenten për angazhimin e saj në forcimin e partneritetit me SHBA-të, Presidenti Trump gjithashtu shprehet: “Ju falënderoj sërish për lidershipin tuaj të guximshëm dhe për faktin që qëndroni si një mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara. Mezi pres të punojmë së bashku me ju në vitet që vijnë.”
Në fund të letrës, Presidenti Trump i dërgon Presidentes Osmani edhe urimet më të mira nga Zonja e Parë e SHBA-ve, Melania Trump”, thuhet në njoftimin e Presidencës.