Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar ditën e kaluar me të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Siç ka njoftuar presidenca, Osmani shprehu mirënjohjen e saj për letrën e dërguar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe jo vetëm.
“Ajo rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur për të punuar ngushtë me Presidentin Trump në thellimin e mëtejshëm të aleancës me Shtetet e Bashkuara dhe në avancimin e objektivave të përbashkëta strategjike. Presidentja Osmani vlerësoi lart lajmin të cilin ia ka komunikuar javën e kaluar Zëvendëssekretari amerikan Christopher Landau për vazhdimin e Kompaktit të MCC-së në Kosovë, si një hap që do të ndihmojë ndjeshëm zhvillimin afatgjatë dhe strategjik të sektorit të energjisë, si dhe zhvillimet pozitive në aspektin e integrimit të Kosovës në peizazhin digjital global.”, thuhet në njoftim.
Çështje diskutimi ishte edhe konstitutimi i Kuvendit të Kosovës.
“Presidentja Osmani dhe znj. Prattipati diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë, në veçanti për çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe pritshmëritë për hapat e mëtejmë. Ndër të tjera, u diskutua edhe për hapa konkretë në funksion të thellimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.”, thuhet në njoftim.