Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u drejtua sot grave, duke i inkurajuar të jenë brezi i ardhshëm i ndërtuesve dhe ruajtësve të paqes.
Osmani kujtoi se rruga drejt lirisë dhe shtetësisë së Kosovës nuk u shkrua vetëm nga burrat, por edhe nga gratë që udhëhoqën rezistencën paqësore, duruan dhe rezistuan gjatë kohës së luftës, dhe më pas kontribuan në rindërtimin e institucioneve, njofton Dukagjini.
“Miq të dashur, sot iu drejtohem të gjitha grave që aspironi të bëheni brezi i ardhshëm i ndërtuesve dhe ruajtësve të paqes, arkitektet dhe mbrojtëset e një bote më paqësore, të sigurt dhe të drejtë. Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Gruas, flas jo vetëm si presidente e një shteti, por edhe si grua, nënë dhe bijë, që ka mësuar se me vendosmëri dhe guxim çdo paragjykim dhe barrierë e imponuar mund të kapërcehet, dhe se premtimi i së ardhmes i takon grave po aq sa burrave. Historia e vendit tim, Republikës së Kosovës, është një provë e gjallë e kësaj të vërtete”, u shpreh Osmani.
Presidentja gjithashtu përmendi Çmimin 2025 për Gra në Paqe dhe Siguri nga Asambleja Parlamentare e NATO-s, duke e cilësuar si një mesazh për njohjen e lidershipit të grave si element thelbësor për forcimin e demokracive dhe ruajtjen e paqes.
“Vitin e kaluar, pata nderin e madh të marr Çmimin 2025 për Gra në Paqe dhe Siguri nga Asambleja Parlamentare e NATO-s. Ne e pranuam atë jo si një dallim personal, por si një kujtesë për misionin tonë të përbashkët, të sigurojmë që lidershipi i grave të njihet plotësisht si thelbësor për ndërtimin e paqes së qëndrueshme, forcimin e demokracive dhe formësimin e një bote më të sigurt për të gjithë”.
Në fund, Osmani tregoi se sfidat për gratë në mbarë botën nuk janë të pakta: dhuna, marginalizimi dhe padrejtësitë vazhdojnë.
“Megjithatë, duhet të përballemi me realitetin që kemi përpara. Në mbarë botën, shumë gra ende përballen me dhunë, marginalizim dhe padrejtësi. Përfundimi i kësaj nuk mund t’i lihet vetëm një kombi apo një brezi. Është përgjegjësia që të gjithë e ndajmë. Avancimi i të drejtave dhe lidershipit të grave nuk është thjesht çështje drejtësie. Është thelbësor për shëndetin e demokracive tona, ruajtjen e paqes dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Duhet të mbetemi të qartë në qëllimin tonë dhe të palëkundur në përkushtimin tonë. Zërat e grave nuk duhet kurrë të heshtin ose injorohen. Lidershipi i tyre nuk duhet trajtuar si opsional dhe pabarazia nuk duhet pranuar si status quo. Sepse kur gratë udhëheqin, shoqëritë bëhen gjithmonë më të forta. Kur barazia është reale, paqja bëhet më e qëndrueshme. E ardhmja për të cilën aspiruojmë është një e ardhme ku çdo ambicie e gruas njihet si legjitime, kontributi i saj vlerësohet dhe lidershipi i saj kuptohet për atë që është me të vërtetë, i domosdoshëm”, u shpreh Osmani.
To mark International Women’s Day, #NATOPA invited @VjosaOsmaniPRKS laureate of the 2025 #NATOPA Women for Peace and Security Award, to share a message with women and girls around the world. Her message highlights the importance of women’s leadership in building more peaceful and… pic.twitter.com/ifolp0JahZ
— NATO PA / AP-OTAN (@natopa) March 8, 2026