Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Albulena Haxhiun për zgjedhjen si kryetare e Kuvendit të Kosovës, si dhe nënkryetarët për përgjegjësinë e besuar nga deputetët.
Në një postim në Facebook, Osmani theksoi rëndësinë e Kuvendit si themeli i demokracisë parlamentare dhe u shpreh se udhëheqja e re do të duhet të ushtrojë mandatin me përgjegjësi demokratike, respektim të Kushtetutës dhe përkushtim ndaj interesit të shtetit.
“Në këtë moment të rëndësishëm institucional, ritheksoj nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional e konstruktiv dhe funksionim të plotë të Kuvendit, në shërbim të forcimit të shtetit të së drejtës, stabilitetit demokratik, mbrojtjes së vlerave tona shtetërore e historike dhe avancimit të agjendës sonë euroatlantike. Uroj që ky mandat të shquhet për vendime të rëndësishme shtetërore, kulturë të lartë demokratike dhe angazhim të palëkundur në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës sonë! Punë të mbarë dhe suksese në detyrën tuaj të lartë shtetërore!!”, ka shkruar Osmani.