Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka shprehur shqetësim dhe kundërshtim ndaj përmbajtjes dhe gjuhës së përdorur nga Prokuroria në fjalët përmbyllëse në Dhomat e Specializuara në Hagë.
OVL-UÇK ka vlerësuar se pretendimet e paraqitura nga Prokuroria përbëjnë një tentativë të papranueshme për kriminalizimin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.
Sipas OVL-UÇK-së, etiketimi i udhëheqjes së UÇK-së si pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” është përpjekje për rishkrim të historisë dhe për shtrembërim të karakterit të luftës çlirimtare.
“Pretendimet e paraqitura, përfshirë etiketimin e udhëheqjes së UÇK-së si pjesë e një “Ndërmarrjeje të Përbashkët Kriminale”, përbëjnë një tentativë të papranueshme për kriminalizimin e luftës sonë çlirimtare dhe për rishkrimin e historisë së rezistencës së drejtë të popullit të Kosovës”, thuhet në reagim.
Organizata thekson se Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbetet një forcë e njohur nga bashkësia ndërkombëtare si palë legjitime në luftën kundër regjimit gjenocidal të Serbisë.
“OVL UÇK riafirmon bindjen se kjo gjykatë po zhvillon një proces selektiv dhe të njëanshëm, duke injoruar krimet shtetërore të Serbisë dhe duke u fokusuar padrejtësisht mbi drejtuesit e luftës çlirimtare. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë të vërtetën historike, dinjitetin e luftës sonë dhe figurën e bashkëluftëtarëve tanë”.