Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe presidenti i AKR-së, Behxhet Pacolli, ka reaguar ashpër pas një rasti të ndodhur në kufirin Ukrainë–Moldavi, ku sipas tij, shtetasit e Kosovës janë refuzuar dhe trajtuar në mënyrë ofenduese nga autoritetet ukrainase.
Pacolli ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se qytetarëve të Kosovës jo vetëm që iu ndalua hyrja, por ata u maltretuan dhe u quajtën madje edhe “terroristë”.
“Sot, Ukraina ka kthyer shtetasit e Kosovës në pikën kufitare me Moldavinë – jo vetëm që i ka refuzuar, por i ka ofenduar dhe maltretuar, madje duke i quajtur ‘terroristë’. Ky nuk është rasti i parë: para disa vitesh, e njëjta Ukrainë veproi në mënyrë skandaloze me ekipin tonë kombëtar të futbollit, të cilët u detyruan të udhëtonin në Gjeorgji për të zhvilluar ndeshjen”, ka shkruar Pacolli.
Ai shtoi se Kosova vazhdon të tregojë solidaritet dhe mbështetje për Ukrainën, ndërkohë që sipas tij, ajo nuk po e respekton Kosovën as në dinjitetin më minimal.
“A nuk është koha të rishqyrtojmë qëndrimet tona ndaj atyre që nuk na respektojnë?”, ka përfunduar Pacolli.