Pahor: Mund të jem “ndryshues i lojës” në dialogun Kosovë – Serbi

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka thënë se mund të jetë “ndryshues i lojës” në dialogun Kosovë – Serbi në rast se emërohet emisar special i Bashkimit Evropian (BE).

Pahor ishte prej kandidatëve të përmendur për zëvendësimin e Miroslav Lajçakut si i dërguar i BE-së për dialogun, por Këshilli i Ministrave të BE-së vendosi t’ia zgjasë mandatin Lajçakut deri në janar të vitit 2025.

Vetë Pahor nuk e ka të qartë se çka ndodhi në Bruksel kur u vendos t’i zgjatej mandati Lajçakut, i cili i skadoi në maj.

“Në mars, u ftova në Bruksel nga i dërguari i posaçëm, Miroslav Lajçak, i cili më pyeti nëse do të isha i gatshëm të konsideroja vazhdimin e punës së tij nëse do të më jepej mandati i Këshillit të BE-së. Mora pak pushim. Edhe atëherë isha i vetëdijshëm për të gjitha grackat që e presin atë që merr përsipër këtë detyrë, por vendosa ta bëj. E dija se nuk do të funksiononte pa mbështetjen e aktorëve kryesorë në politikën sllovene. E mora mbështetjen, për të cilën i jam mirënjohës. Por më pas diçka ndryshoi në Bruksel. Nuk i di të gjitha arsyet pse. Procesi i përzgjedhjes nuk përfundoi në maj, siç u tha fillimisht, por Këshilli i BE-së vendosi në qershor ta zgjasë mandatin e Lajçakut për gjysmë viti, pra deri më 31 janar”, ka thënë ai për mediumin slloven, N1.

Pahor ka thënë se është i gatshëm ta marrë rolin e Lajçakut teksa ka përmendur punët e tij për “paqe e pajtim” në Ballkanin Perëndimor.

“Mbetem i gatshëm ta plotësoj këtë pozicion nëse emërohem. Megjithatë, bazuar në më shumë se 30 vjet përvojë vendase dhe ndërkombëtare, e kam të qartë se do të ishte më e lehtë për mua nëse do isha përzgjedhur në maj. Në të njëjtën kohë, i them Brukselit: Jam këtu me përvojën time, arritjet, njohuritë dhe autoritetin e dikujt që pranohet si ndërmjetës i ndershëm në Kosovë, Serbi dhe Ballkanin Perëndimor. Si dikush që e zgjidhi problemin me Kroacinë në mënyrë paqësore, normalizoi marrëdhëniet me Serbinë kur Sllovenia njohu Kosovën dhe si dikush që themeloi dhe udhëhoqi procesin Brdo-Brionit. Mendoj se dikush me atë lloj përvoje që vjen nga afërsia e këtij rajoni mund të bëjë ndryshim dhe mund të jetë ‘ndryshues i lojës’”, u shpreh Pahor.

Ndryshe, vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) janë pajtuar për t’ia zgjatur mandatin të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, deri në janar të vitit 2025. Ky vendim, për të cilin më herët kishte paralajmëruar përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tashmë ka marrë pëlqimin e vendeve anëtare.

Shija e redaktorit

Pengesë vetoja ruse, “tani Kosova ka numër njohjesh për anëtarësim...

Bahamet u bënë shteti i katërt që njeh Kosovën vetëm brenda vitit 2025, duke shënuar një ringjallje të këtij procesi pas një periudhe shterpe...

Ndihmat humanitare nga Kosova për Gazën nisen me anije nga...

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova për Gazën është nisur nga porti i...

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Të fundit nga rubrika