Më shumë se 100 organizata ndërkombëtare humanitare dhe për të drejtat e njeriut kanë paralajmëruar për një uri masive në Gaza, duke kërkuar veprim të menjëhershëm nga qeveritë botërore për të shpëtuar jetë njerëzish.
Në deklaratë të përbashkët të publikuar të mërkurën, organizatat si Médecins Sans Frontières (MSF), Save the Children dhe Oxfam thanë se situata është jashtëzakonisht e rëndë dhe se kolegët e tyre në terren “po shkatërrohen” së bashku me popullatën civile.
“Ndërsa rrethimi i qeverisë izraelite i lë njerëzit e Gazës të uritur, punonjësit e ndihmës tani po i bashkohen të njëjtave radhë për ushqim, duke rrezikuar jetën vetëm për të ushqyer familjet e tyre,” thuhet në deklaratë.
“Furnizimet janë shteruar plotësisht, dhe kolegët tanë po shemben para syve tanë”.
Izraeli: “Propagandë e Hamasit”
Izraeli, që kontrollon hyrjen e të gjitha ndihmave në territor, e ka mohuar deklaratën dhe i ka akuzuar organizatat se “i shërbejnë propagandës së Hamasit”.
Bllokada totale ndaj ndihmave u vendos nga Izraeli në fillim të marsit, për të ushtruar presion mbi Hamasin që të lirojë pengjet e mbetura izraelite. Edhe pse kjo bllokadë u lehtësua pjesërisht pas dy muajsh, organizatat thonë se mungesat në ushqim, ilaçe dhe karburant janë përkeqësuar.
Fëmijët kërkojnë parajsën – aty ka ushqim
Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e kontrolluar nga Hamasi, raportoi se 10 palestinezë të tjerë vdiqën nga kequshqyerja brenda 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin total në 43 që nga e diela.
Një punonjës humanitar, që ofron mbështetje psikosociale për fëmijët, tha se “fëmijët u thonë prindërve se duan të shkojnë në parajsë, sepse të paktën parajsa ka ushqim”.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) ka vlerësuar se një e katërta e popullsisë së Gazës përballet me kushte të ngjashme me urinë, ndërsa rreth 100,000 gra dhe fëmijë vuajnë nga kequshqyerja akute dhe kanë nevojë për trajtim urgjent.
“Kishim frikë se do arrinim në këtë pikë – dhe ja ku jemi”
Dr. Ahmad al-Farra, shef i pediatrisë në spitalin Nasser në Khan Younis, tha për BBC se për tre ditë rresht nuk ka pasur asnjë furnizim me ushqim. Sipas tij, fëmijët vijnë në spital me shenja të rënda urie, dhe disa kanë ndërruar jetë nën kujdesin mjekësor për shkak të kequshqyerjes ekstreme.
“Është skandaloze – çmimet janë në zjarr,” tha një banor i Gazës. “Na duhen 300 shekel në ditë (rreth 90 dollarë) vetëm për të blerë miell.”
Mbi 1,000 civilë të vrarë duke kërkuar ndihmë
Sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, mbi 1,050 palestinezë janë vrarë nga ushtria izraelite që nga 27 maji, gjatë përpjekjeve për të marrë ndihma. Prej tyre, 766 u vranë pranë qendrave të ndihmës të Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), që ndodhen në zona të militarizuara dhe menaxhohen nga kontraktorë privatë amerikanë.
Ushtria izraelite ka mohuar që qëllon civilë me qëllim dhe pretendon se përdor zjarr paralajmërues. GHF, ndërkohë, i ka quajtur të dhënat e OKB-së “të rreme dhe mashtruese”.
Ndihmat janë aty – por nuk shpërndahen
Organizatat theksojnë se jashtë Gazës, por edhe brenda saj, ndodhen tonelata me ushqim, ujë, barna dhe karburant që nuk po arrijnë te qytetarët për shkak të kufizimeve të aksesit dhe sulmeve të vazhdueshme.
Aktualisht, në Gaza hyjnë mesatarisht vetëm 28 kamionë me ndihma në ditë – shumë më pak se minimumi i nevojshëm për të shmangur katastrofën humanitare.
OKB-ja kujton se Izraeli, si fuqi pushtuese, ka detyrimin ligjor ndërkombëtar për të garantuar shpërndarjen e ndihmave humanitare. Por Izraeli këmbëngul se po vepron sipas ligjit dhe se po ndalon që ndihmat të bien në duart e Hamasit./BBC