Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka ndërmarrë një aksion të suksesshëm parandalues, duke ndaluar një tentativë për futjen e kontrabandës në zonën sterile të Qendrës Korrektuese në Dubravë.
Aksioni u realizua pas pranimit të informacioneve proaktive dhe organizimit operacional në bashkëpunim me Njësinë e Inteligjencës së SHKK-së dhe në koordinim me Departamentin për Siguri të Qendrës Korrektuese të Dubravës.
Si rezultat, u zhvillua një bastisje e menjëhershme, gjatë së cilës u zbuluan pesë qese të zeza, të mbështjella dhe të izoluara me izolir të tejdukshëm.
Brenda këtyre qeseve janë gjetur: Lëndë e dyshuar narkotike e ndarë në disa njësi, me peshë të përgjithshme prej 98 gramësh (me mbështjellës); Pesë telefona të markës Samsung, prej të cilëve njëri përmbante SIM kartelë të operatorit IPKO; Dy SIM kartela të tjera të papërdorura të të njëjtit operator.
Ky operacion është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet Njësisë së Inteligjencës, Departamentit të Sigurisë së QK Dubravë dhe zyrtarëve përgjegjës të sigurisë, duke dëshmuar angazhimin e palëkundur të SHKK-së për të parandaluar çdo tentativë për kontrabandë dhe për të garantuar një mjedis të sigurt brenda institucioneve korrektuese.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë me vendosmëri zbatimin e masave të rrepta të kontrollit, në funksion të ruajtjes së rendit dhe sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit.